Ministri Aliu: Hekurudha Durrës – Prishtinë po jetësohet
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka bërë të ditur se pas një sërë takimesh, përfshirë edhe atë me deputetin britanik, Martin Vickers, dhe përfaqësuesit e Export Finance (UKEF), projekti për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë “po jetësohet”.
Ky projekt, sipas tij, do të ndihmojë në bashkimin ekonomik të dy vendeve.
Në një takim në Tiranë, ministri Aliu dhe ekipi i tij diskutuan për vazhdimësinë e ndërtimit të kësaj hekurudhe, e cila do të shërbejë si një lidhje e shpejtë për pasagjerët dhe mallrat në mes të dy vendeve.
“Sot, në Tiranë, bashkë me kolegë e bashkëpunëtorë, patëm takim pune për të diskutuar vijimësinë e ndërtimit të hekurudhës më të rëndësishme kombëtare, Durrës-Prishtinë, që njëherit do të kontribuojë në një lidhje të shpejtë të pasagjerëve dhe mallrave. Në takim ritheksova se krijimi i linjës hekurudhore është zgjidhja më ekologjike e ndërlidhjes tonë me Shqipërinë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai gjithashtu ka theksuar se kjo linjë hekurudhore është zgjidhja më ekologjike për të lidhur Shqipërinë.