Tahiri: Votimi jashtë vendit për qytetarët nga diaspora vazhdon të manipulohet
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka akuzuar Qeverinë Kurti se nuk ka punuar në lehtësim të procesit të votimit nga diaspora, siç parashihet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Në një konferencë për media të mërkurën, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka cilësuar “skandal” gjendjen në këtë aspekt.
Ndonëse ka hyrë në fuqi ky ligj nëntë muaj më parë, Tahiri ka thënë se në vend të 50 centëve për votë, sërish diaspora duhet të paguajë nga 70-80 euro.
“Votimi jashtë vendit për vëllezërit dhe motrat tona nga diaspora vazhdon të manipulohet duke e penguar zbatimin e Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme i cili ka hyrë në fuqi në korrik të vitit të kaluar. Janë bërë 9 muaj që kur ky ligj ka hyrë në fuqi e nuk është ndërmarrë asnjë veprim për të mundësuar votimin e vëllezërve dhe motrave tona sipas këtij ligjit. Deri më tani nuk ka asnjë informatë asnjë marrëveshje ndërshtetërore për të mundësuar votimin e qytetarëve të Kosovës në Ambasada siç thotë ligji. Ligji i ri kërkon që të krijohet një kuti postare ku diaspora do të mund të votojë dhe pastaj këto vota që do të paguheshin me 50 centë të shkonin në atë kuti që do të ambalazhohej nga Ambasada e do të menaxhohej nga KQZ-ja në mënyrë që vota të vijë në Kosovë”, ka thënë Tahiri.
Kritika ka edhe deputetja tjetër e AAK-së, Time Kadrijaj.
Ajo ka thënë se “është shqetësuese sepse Kurti e ka marrë votën popullore e mbi 90 mijë vota nga diaspora”.
“Për neve është shqetësuese sepse ka marr votën popullit, ka marre 90 mijë vota për diaspora duke thënë që kemi mbajt premtime, qoftë për Ligjin për Diasporën, qoftë rregullimin e votimit të diasporës dhe e dim ne që mënyra deri tashme është e komplikuar. Kjo qeveri deri sot nuk ka bërë asgjë, i ka kaluar tri vjet në çdo vit kalendarik e kemi ligjin për diasporë dhe çdo vit nuk vjen edhe këtë vit nuk sjellet”.