Rama pas takimit me Cameronin: Britania e Madhe do të jetë financuese e hekurudhës Durrës-Prishtinë
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “gjatë takimit me Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme, Commonwealth-in dhe Zhvillimin e Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron kemi folur për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik për Shqipërinë, Kosovën, por edhe rajonin që është hekurudha Durrës-Prishtinë”.
Në deklaratën e përbashkët për shtyp me Lord David Cameron, kryeministri Rama tha se “kjo hekurudhë është një element kyç i projektit të rritje së kapaciteteve të lëvizjes jo vetëm mes dy vendeve tona, por në rajone e më gjerë duke pasur parasysh që së shpejti hapim garën ndërkombëtare për portin e ri tregtar të Durrësit”.
Kryeministri Rama u shpreh se “jemi në pritje të përgjigjes përfundimtare të NATO-s për krahun ushtarak të portit të Durrësit. Edhe Kosova do të ndërtojë një port të thatë në Prishtinë”.
Më tej Rama theksoi se “për të gjithë së bashku ky është një projekt që tejkalon interesin e dy vendeve tona dhe Mbretëria e Bashkuar ka shprehur gatishmërinë të përfshihet qoftë me financimin, qoftë edhe me ekspertizën. I jam mirënjohës Sekretarit sepse është një avokat shumë i rëndësishëm i yni në mbështetje të gjithë proceseve transformuese të rajonit tonë”.
Kryeministri shtoi gjithashtu se u diskutua dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ku falënderoi Britaninë e Madhe për angazhimin e treguar në proces.
“Kemi diskutuar dhe për proceset e paqtimit në rajon. Lordi Cameroon është një mbështetës i vendosur i këtyre proceseve Mbretëria e Bashkuar ka shprehur një interes të veçantë për normalizimin e marrëdhënieve në rajon dhe për të parë përfundimin me sukses të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Rama.
Gjithashtu Rama tha se u diskutua dhe problem i emigracionit të paligjshëm ku do të vazhdojë bashkëpunimi mes dy vendeve për ta luftuar këtë fenomen.
“Kemi folur dhe për projektin e përbashkët kundër trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore, patjetër që jemi të kënaqur me rezultatet e arritura dhe operacioni ynë i përbashkët do të vijojë. Dekurajimi i këtij trafiku do të jetë maksimal dhe në vazhdim do të vijojmë për t’i shkuar në rrënjë këtij trafiku që ka të bëjë me grupet kriminale”, tha Rama.