Në Malishevë fillon dezinsektimi i zonave endemike kundër rriqrave
Në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale për parandalimin dhe luftimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHKK), Komuna e Malishevës ka filluar me dezinsektimin e zonave endemike, kundër rriqrave, si bartës të virusit të EHKK.
Sipas një njoftimi për media kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati tha se për një dekadë nuk kanë raste të infektimit me këtë virus vdekjeprurës.
“Pavarësisht numrit të rasteve të thumbimeve nga rriqrat, është fat i mirë se tani e një dekadë nuk kemi raste të infektimit me këtë virus vdekjeprurës, por ne si komunë, brenda përgjegjësive dhe kompetencave, jemi duke bërë të pamundurën për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Shfrytëzoj rastin ti falënderoj të gjithë që janë të angazhuar në luftimin dhe parandalimin e kësaj sëmundje, duke filluar nga punëtorët shëndetësor, zyrtarët përgjegjës komunal, si dhe të gjithë qytetarët, të cilët po tregohen shumë të kujdesshëm”, ka thënë kryetari Kastrati.
Ai po ashtu ka apeluar tek organet përgjegjëse shtetërore, që të marrin masat e nevojshme për luftimin e EHKK, siç janë Këshilli Ndërministror, pastaj realizimi i repelimit të kafshëve, si masa më efektive në luftimin e EHKK dhe të gjitha përgjegjësitë tjera, të cilat duhet të fillojnë nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK, Ministria e Bujqësisë, AUV, në mënyrë që luftimi dhe parandalimi i EHKK, të ketë rezultate dhe të mbrohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve.
“Në fillimin e fushatës së dezinfektimit të zonave endemike, ishin të pranishëm edhe drejtorët e drejtorive përkatëse, Hajdin Berisha, drejtor i shëndetësisë, Sylë Dukolli, drejtor i bujqësisë dhe drejtori për mbrojtje dhe shpëtim, Shqipron Shala. Ky dezinsektim, bëhet në koordinim në mes të drejtorive përgjegjëse në Komunën e Malishevës dhe Institutit Rajonal të Shëndetit Publik (IRSHP) në Prizren”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq siç bëhet e ditur në njoftim, kjo fushatë e dezinsektimit, tregon përkushtimin e Komunës së Malishevës në raport me ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga rreziku i EHKK.