Bien në pranga dy persona në Fushë-Kosovë, iu konfiskohen armë e drogë

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik dega në Prishtinë, sot ka realizuar një plan taktik lidhur me rastin e koduar ,,Rrethi’’

Policia ka njoftuar se në asistencë edhe të një njësiti të hetimeve nga Fushë-Kosova, sot rreth orës 14:30 në rrugën e ,,Pejës’’ në Fushë Kosovë ka ndaluar dhe arestuar në flagrancë dy persona të dyshuar.

Personat e dyshuar E.XH., (viti i lindjes 1982) dhe A.I., (viti i lindjes 1979) janë ndaluar, por gjatë ndalimit është vërejtur se i dyshuari i dytë me qëllim të fshehjes së dëshmive ka gëlltitur një qese të vogël me lëndë narkotike të llojit kokainë, të cilën paraprakisht e kishte blerë nga i dyshuari i parë.

“Me qëllim të sigurimit të provave të nevojshme, në konsultim me prokurorinë e krimeve të rënda Prishtinë, është kryer kontrolli i banesës së të dyshuarit E.XH., ku me këtë rast në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar :

Substancë e dyshuar narkotike kokainë e ndarë në 17 qese (16 te vogla të gatshme për shitje dhe 1 me sasi më të madhe) me peshë të përgjithshme prej 99.4 gramë,

Një pako në të cilën kishte një lloj përzierësi që përdoret për shtimin e sasisë së kokainës me peshë prej 63 gramë ,

Një peshore digjitale që përdoret për matje precize në sasi të vogla dhe disa qese të zbrazura,

Para të gatshme në vlerë 1750 Euro,

3 Armë automatike AK-47

6 karikatorë

Municion të llojeve të ndryshme në sasi prej 510 copë.

2 bajoneta dhe 8 pjesë të ndryshme për armë.

Një palë dylbi dhe 2 këllëfë armësh .

Një telefon celular

Vlera e përafërt e narkotikëve të konfiskuar sipas çmimit të tregut llogaritet rreth 6000 Euro”, thuhet në njoftimin e Policisë, transmeton Zeri.info.

tutje bëhet e ditur se të dyshuarit janë shoqëruar për intervistim dhe në konsultim me prokurorin kujdestar i dyshuari E.XH. dërgohet në mbajtje për rastet, kurse i dyshuari A.I dërgohet në mbajtje për disa urdhër arreste të mëhershme të cilat i kishte aktive.

“Policia e Kosovës do të ndërmarrë masa dhe veprime ligjore ndaj të gjithë personave qe janë të përfshirë në vepra penale, në veçanti edhe ndaj atyre të cilët meren me trafikim të substancave narkotike”, thuhet në komunikatën e Policisë. /Zëri