Deputeti i LVV-së: Me liberalizimin e vizave i dhamë fund izolimit të qytetarëve

Deputeti i LVV-së, Valon Ramadani, ka folur për sukseset e Qeverisë së udhëhequr nga lideri i tij, Albin Kurti dhe subjekti i tij politik, Vetëvendosja.

Ai thotë se është opozita ajo që bën vlerësimin e punës së Qeverisë dhe jo opozita, duke vendosur si sukses edhe liberalizimin e vizave, i cili ndodhi më 1 janar të këtij viti.

“Ne jemi shumicë, jo opozitë. Opozita bën vlerësime e kritika ndaj Qeverisë. Ato po i bëjnë në vazhdimësi. Nuk besoj që kanë nevojë për ndihmën tonë. Sa u përket sukseseve e përparimit, ato janë në shumë fusha të ndryshme që prekin direkt qytetarët e vendit. Duke filluar nga liberalizimi i vizave. Sot qytetarët tanë udhëtojnë lirshëm, pa pengesa në të gjitha vendet e Zonës Schengen. Pra i kemi dhënë fund izolimit të padrejtë ndaj qytetarëve tanë”, thotë ai.

Sukses i Qeverisë për deputetin e LVV-së është edhe progresi në ligjshmërinë e territorit të vendit.

“Progresi ne ligjshmërisë në gjithë territorin është me se evident. Luftimi i krimit të organizuar, trafikut të drogës e kontrabandës është më i lartë se asnjëherë më parë. Ushtrinë e kemi më të fortë se kurrë”, deklaron ai.

Deputeti Ramadani thotë se me ligjet e miratuara është avancuar sistemi gjyqësor.

“Me ligjet që kemi miratuar kemi filluar edhe reformat në administratën publike, kemi avancuar sistemin gjyqësor me themelimin e gjykatës komerciale, duke lehtësuar e përshpejtuar procedurat për kontestet që prekin bizneset e kompanitë. Për fat të keq 2 ligje kyçe të kësaj fushe, si ai për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Ligji për vetingun kanë mbetur peng i Gjykatës Kushtetuese”, shton tutje deputeti Ramadani për FrontOnline.

Sukses tjetër për deputetin e LVV-së është edhe vendimi për subvencionimin për shtesat për fëmijët dhe nënat lehona.

“Për herë të parë në vendin tonë kemi shtesa për fëmijë e për nënat lehona, kemi subvencionuar e ndihmuar familjet në nevojë me subvencionim të energjisë, e kemi promovuar evidencën e energjisë elektrike duke subvencionuar pajisje efiçiente për ngrohje”, shprehet ai.

Po ashtu, ai thotë se edhe projektet infrastrukturore janë suksese tjera të Qeverisë.

“Shumë projekte infrastrukturore që ishin stërzgjatur e bllokuar me vite të tëra tani po marrin epilog siç është rruga Prishtinë – Podujevë dhe ajo Prishtinë – Mitrovicë. Në bujqësi kemi rritur subvencionet duke promovuar rritjen e kultivimit te kulturave bujqësore pakrahasueshëm me vitet paraprake. Këto janë vetëm disa prej sukseseve të Qeverisë, por edhe fushat tjera si kultura, sporti diplomacia etj., kanë pasur periudhën me të mirë që nga paslufta në Kosovë”, ka deklaruar ai.