Gërvalla në Kanada, me koncert madhështor nis java kulturore në shënim të 25-vjetorit të mikpritjes së refugjatëve
Me një atmosferë festive, me qindra të pranishëm nga komuniteti shqiptar dhe mysafirë nga Kanadaja, nën tingujt e Orkestrës Filarmonike të Torontos, nën dirigjimin e mjeshtrit të madh, Bujar Llapaj dhe drejtorit ekzekutiv dhe artistik, Qazim Kallushi dhe tenorit me fame botërore, Ramë Lahaj, u mbajt koncerti festiv, në hapje të Javës së Kulturës së Kosovës në Kanada, në shënim të 25 vjetorit të mikpritjes kanadeze për refugjatët nga Kosova, dhe 15-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Kanadasë, organizuar nga ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Kanada.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla, shprehu mirënjohjen e thellë dhe falënderimet e shtetit dhe qytetarëve tanë ndaj mbështetjes së madhe, mikpritjen dhe kontributin e Kanadasë në çlirim dhe zhvillim të Kosovës dhe në veçanti integrim dhe mbështetje të mërgatës kosovare në Kanada.
Më tej, ministrja Gërvalla tha që refugjatët e atëhershëm, sot janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë kanadeze.
“Ata janë ambasadorët më të mirë të Kosovës. Ndërtojnë ura të fuqishme mes Kosovës dhe Kanadasë, por pa harruar asnjëherë vendin e tyre”, tha Gërvalla.
Nga ana tjetër, senatorja kanadeze, Rebecca Patterson, foli rreth marrëdhënieve të fuqishme mes Kanadasë dhe Kosovës si dhe miqësinë mes dy popujve.
Pas ceremonisë së hapjes së Javës Kulturore të Kosovës, me koncertin e madh, përgjatë një jave do të mbahen shumë aktivitete në qytete të ndryshme të Kanadasë ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët, do të këtë shfaqje të filmave, dokumentarëve, aktivitete kulturore të ekspozimit të veshjeve tona kulturore si dhe do të organizohen edhe aksione të dhurimit të gjakut. /Klankosova.tv