Çitaku: Zgjedhjet më së largu në korrik, koalicioni me LV-në vështirë i mundshëm

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka paralajmëruar bashkëpunim me opozitën për ta çuar vendin në zgjedhje.

Ajo ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të shpërndahet në muajin maj në mënyrë që t’i hapet rrugë zgjedhje të parakohshme më së largu deri në javën e parë të korrikut.

Gjithashtu Çitaku ka paralajmëruar se koordinim me partitë opozitare për ta çuar vendin në zgjedhje, derisa thekson se në bazë të qeverisjes aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje do të ketë të vështirë të lidhin koalicion pas zgjedhor.

“Qe nga korriku i vitit të kaluar PDK-ja në mbledhjen e Këshillit Drejtues ka marrë të mos votojë asnjë nismë ligjore të Qeverisë dhe ka kërkuar që vendi të shkojë sa më parë në zgjedhje. Sigurisht, modeli jonë i preferuar ka qenë dorëheqja apo shkarkimi, mirëpo meqenëse votat na mungojnë për një procedurë të tillë, ne jemi në opsionin të dytë për shpërndarjen e Kuvendit. Ne nuk e kemi monopolin për këtë proces, por ne duam të bashkëpunojmë me parti të tjera opozitare…Mënyra e vetme për t’i dhënë Kosovës një alternativë të re është duke shkuar në zgjedhje dhe duke i fituar ato”, ka deklaruar ajo.

“Ne nuk kemi shtiza për kolegët tanë në opozitë, ne duam që bashkërisht të kemi një mocion përmes së cilit bëhet shpërndarja e Kuvendit. Kjo ka kuptim të bëhet deri në fund të qershorit, eventualisht java e parë e korrikut. Pastaj zgjedhjet e parakohshme s’kanë asnjë lloj logjike, pasi nga vjeshta e tutje hynë në cikël normal zgjedhor”, thekson Çitaku.