Haradinaj në Shqiponjë: Të rënët, udhërrëfyes yni në realizimin e ëndrrës për Kosovën anëtare të NATO-s

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Ditën e Çlirimit në Shqiponjë ka thënë se fitorja e madhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 17 maj 1999, u shndërrua në testament kombëtar të mbrojtjes së nderit të atdheut.

“Shqiponja, vend me traditë shekullore të angazhimit për liri, ishte e para që dha lajmin e lirisë. Fitorja e madhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 17 maj 1999 në Shqiponjë, u shndërrua në testament kombëtar të mbrojtjes së nderit të Atdheut. Kjo fitore u reflektua në mbarë vendin, e brenda disa javëve Kosova ishte e lirë”, shkroi Haradinaj.

I pari i AAK-së, mes të tjerash, tha se të rënët mbesin udhërrëfyes për realizimin e ëndrrës për t’u bërë anëtare e NATO-s.

“Në përvjetorin jubilar të çlirimit, nderuam sot më meritorët, burrat e gratë që pushojnë në Kompleksin Memorial të Shqiponjës, që mbesin udhërrëfyes yni në realizimin e ëndrrave tona për Kosovën e sigurt, anëtare e NATO-s, përkrah aleatëve të prirë nga Amerika”, përfundoi Haradinaj në profilin e tij zyrtar në Facebook. /Zëri