Në burg bashkë me Ukshin Hotin, deputeti tregon pse hezitoi ta nderojë me një minutë heshtje

Punimet në kuvend të enjten filluan me një minutë heshtje. Në këtë formë, të zgjedhurit e popullit, nderuan veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, Ukshin Hotin.

Por, dikush nga deputetet hezitoi të ngritët në këmbë. Ishte ky deputeti nga PDK, Isak Shabani. Ky i fundit në tri burgje, pati fatin të jetë bashkë me Ukshin Hotin.

Arsyet e këtij hezitimi, i ka zbuluar për Tëvë1.

“Kur themi një minutë heshtje, zakonisht bëhet për dikë që dihet që ka ndërruar jetë. Përkundër saj, për profesorin e nderuar (Ukshin Hoti) nuk dihet gjë për fatin e tij. Kam hezituar të ngritëm në këmbë, sidomos në momentin kur është thënë lavdi kur ka thënë kryetari i Kuvendit, jam ndier shumë keq, sepse lavdi thuhet për një njeri që ka dhënë jetën”, ka sqaruar ai.

Pas Burgut të Mitrovicës së Sremit dhe atij të Nishit, Shabani e Hoti u transferuan në Burgun e Dubravës.

Edhe pas 25 vjetëve, Shabani e kujton mirë momentin e së dielës së 16 majit të vitit 1999, kur dy gardianë serbë hapën dyert e qelisë ku ndodheshin të burgosurit politik shqiptarë.

“Kanë ardhur e kanë marrë dy gardianë dhe fjalët e tij të fundit, si çdo i burgosur tjetër kur del nga burgu, thoshte; shpresoj që së shpejti do të shihemi jashtë. Kjo ishte shpresa e tij”, thotë Shabani.

Në kohën e zhdukjes së Ukshin Hotit, i biri i tij, Andini, ishte vetëm 11-vjeçar.

Shumica e kujtimeve që i ka me babain janë gjatë vizitave në burgje.

“Ajo çka e mbaj mend të fundit, janë grilat që na ndanin mu edhe babin sepse nuk na lejuan të flasim në këtë takim, në takime të tjera kemi biseduar. E vetmja mënyrë që kemi mundur të prekim atë ditë, ka qenë përmes grilave. Ajo është pamja e fundit. Brengë e tij ka qenë shkollimi jonë”, shprehet Andini.

Edhe në 25-vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit, nuk mungon pyetja për fatin e tij.

Prandaj nuk munguan edhe ata që tentuan të përfitojnë shuma të mëdha parash, në këmbim të informacioneve për vendndodhjen e Ukshin Hotit.

“Në vitin 2020 për herë të fundit, një qytetar serb përmes Universitetit të Prizrenit, thotë që e njoh Ukshin Hotin, është gjallë e kam parë para një jave. Një herë i kërkuan 400 mijë euro, pastaj 200 mijë euro në këmbim të informacionit dhe ai informacioni thoshte ta sjellim Ukshin Hotin deri tek kufirin. Por, kur je familjar i personit të zhdukur e di se 99% është mashtrim kjo, por kur je familjar i personit të zhdukur, ai 1% është e gjithë bota për ty”, thotë Andin Hoti.

Në përvjetorin e zhdukjes së babait, Andin Hoti, që është edhe kryetar i komisionit për të pagjeturit, fajëson shtetin serb për moszbatimin e Deklaratës së dakorduar në Bruksel për Personat e Zhdukur.

Kjo e fundit u miratua dy vjet më parë në Bruksel, në takimin e nivelit të lartë.