Ambasadorja amerikane në NATO: Vendet e Ballkanit të shpenzojnë më shumë për mbrojtje

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Julianne Smith, u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të fokusohen në aspiratat e tyre euroatlantike dhe në vlerat e shoqërive të hapura dhe demokratike.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Smith u bëri thirrje anëtarëve të NATO-s nga Ballkani Perëndimor që të angazhohen më shumë për të arritur objektivin e aleancës, që secili anëtar të shpenzojë të paktën 2 për qind të Prodhimit të vet të Brendshëm Bruto (PBB) në mbrojtje, veçanërisht duke pasur parasysh situatën e sigurisë dhe pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Ajo, po ashtu, i ka bërë thirrje Serbisë që të mos e thellojë bashkëpunimin me Rusinë dhe me Kinën, duke përsëritur paralajmërimin amerikan kundër tregtisë me kompanitë kineze, përderisa ka thënë se tani nuk është koha për forcimin e raporteve me Rusinë, teksa Moska ka nisur luftën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Rusia po bën çfarë po mundet për të lëshuar një lumë fushatash keqinformuese, të cilat shpesh nxjerrin të pavërteta për qëllimet e NATO-s. Ato shpesh përpiqen të pohojnë se NATO-ja është e angazhuar drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë, që gjë është absurde dhe e pavërtetë”, ka thënë Smith, duke theksuar se Rusia është agresorja që ka nisur luftën në Ukrainë.

Ambasadorja amerikane në NATO ka thënë se përparimi në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është i rëndësishëm për ecjen para të Kosovës drejt integrimit në NATO.

Smith ka thënë se SHBA-ja është e angazhuar në luftën kundër keqinformimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ne bashkëpunojmë ngushtë përballë sfidës së keqinformimit, me të gjithë partnerët dhe aleatët tanë në rajon, dhe i inkurajojmë miqtë tanë të mbajnë fokusin në vlerat tona të përbashkëta, në demokracitë dhe shoqëritë shumetnike”, është shprehur ajo.

Radio Evropa e Lirë: Zonja ambasadore, të gjitha vendet anëtare të NATO-s nga Ballkani Perëndimor – Kroacia, Shqipëria, Mali e Zi, Maqedonia e Veriut – po i rrisin shpenzimet në fushën e mbrojtjes, teksa kjo përbën një çështje serioze për Shtetet e Bashkuara. A mendoni se ato po i përmbushin detyrimet financiare ndaj NATO-s?

Julianne Smith: Secili vend anëtar i aleancës u pajtua, dhjetë vjet më parë, për të shpenzuar 2 për qind të Prodhimit të vet të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtje. Në kohën kur aleatët e bënë këtë zotim, më 2014, tre anëtarë të aleancës e përmbushnin këtë detyrim. Deri në verë, kur të mbajmë samitin e Uashingtonit, ne presim që dy e treta e aleancës ta ketë përmbushur detyrimin. Tani, kemi një numër aleatësh në Ballkanin Perëndimor që janë pranë 2 përqindëshit. Ata kanë punuar zellshëm gjatë dekadës së fundit për t’i rritur shpenzimet për mbrojtje, dhe ne i përshëndesim këto përpjekje. Këto janë vendime të vështira shtetërore, të cilat janë të zorshme kur ka kërkesa në nivelin e brendshëm për të shpenzuar para për prioritete të tjera. Prandaj, jemi thellësisht mirënjohës për lëvizjen që ka ndodhur gjatë dekadës së fundit nga këto shtete anëtare të NATO-s që ju sapo përmendët. Por, ne u bëjmë thirrje miqve tanë në Ballkanin Perëndimor: Kroacisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, që të angazhohen më shumë në përpjekje për të arritur objektivin prej 2 për qind para mbajtjes së samitit të NATO-s, në mesin e korrikut.

Këtë po e them sepse presidenti (Joe) Biden po shpreson që në samit të shënohet numri më i madh i aleatëve me shpenzime prej 2 për qind, sesa që kemi pasur gjatë dekadës së kaluar. Pra, çfarëdo që mund të bëjnë miqtë tanë në Ballkanin Perëndimor, për t’i rritur shpenzimet për mbrojtje, do të çmohej shumë. Dhe, jo vetëm për shkak se kështu ndahet barra, por edhe për shkak të situatës aktuale të sigurisë. Kemi kërcënime gjithandej. Kemi agresionin e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, partneritetin e saj në rritje me Kinën, mbështetjen iraniane dhe koreanoveriore ndaj Rusisë. Rritjen e prodhimit brenda Rusisë. Pra, kemi shumë arsye që të gjithë ne t’i rrisim shpenzimet në mbrojtje. Dhe, vërtet duam që të arrijmë në situatë, ku secili anëtar i aleancës shpenzon 2 për qind.

Ka vende të tjera në rajon që nuk janë anëtare të NATO-s, si Kosova, Bosnja dhe Serbia. Sa po iu ndihmon SHBA-ja këtyre vendeve për të ndërtuar kapacitetet e mbrojtjes, pasi që nuk janë anëtare, por kanë një marrëdhënie të veçantë me aleancën?

Julianne Smith: Keni të drejtë. Këto vende nuk janë shtete anëtare. Por, kemi situatën ku, Bosnja në veçanti, është kandidate serioze, që do të thotë se ajo ka shprehur haptas dëshirën për t’iu bashkuar aleancës. Së voni, të gjithë 32 ambasadorët udhëtuan drejt Bosnjës për të biseduar me udhëheqjen e atjeshme, rreth asaj se çfarë mund të bëhet më shumë për të thelluar partneritetin ndërmjet NATO-s dhe Bosnjës, për t’iu ndihmuar atyre t’i transformojnë forcat e veta, t’i modernizojnë forcat e veta, të angazhohen për ndërveprim, dhe për t’iu ndihmuar atyre të ndërtojnë infrastrukturën.

Serbia ka një vendim sovran për të marrë, nëse do apo jo të angazhohet për anëtarësim. Tani për tani, përgjigja që vjen nga Serbia është jo. Por, ajo ka një partneritet me aleancën, në bazë të të cilit ne mund të kryejmë manovra të përbashkëta, të kryejmë stërvitje të përbashkëta, të bashkëpunojmë për nevojat e veçanta që ajo ka kur bëhet fjalë për sigurinë kibernetike apo për modernizimin e forcave të saj, ajo mund ta përcaktojë se si dëshiron të bashkëpunojë me aleancën.

Kosova është çështje e ndërlikuar, për shkak se kemi katër vende në NATO që nuk e njohin atë, por Shtetet e Bashkuara kanë një partneritet shumë të ngushtë me Kosovën, dhe ne jo vetëm që po e mbështesim dialogun e udhëhequr dhe të ndërmjetësuar nga BE-ja – i cili ka për synim të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – por nga një perspektivë bilaterale amerikane, ne jemi këtu për të mbështetur miqtë tanë në Kosovë, teksa ata po angazhohen për aspiratat e tyre euroatlantike dhe po punojnë për t’i forcuar forcat e veta.

Prandaj, qoftë në aspekt bilateral apo multilateral, Shtetet e Bashkuara janë këtu për t’i mbështetur dhe për të punuar ngushtë me këto tri shtete, si dhe për të punuar ngushtë me shtetet anëtare të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Përmendët bashkëpunimin ndërmjet Rusisë dhe Kinës, por ekziston një marrëdhënie dhe një bashkëpunim i veçantë i Serbisë pikërisht me këto dy vende. A jeni të shqetësuar për bashkëpunimin me Rusinë dhe me Kinën për çështje të mbrojtjes, dhe për blerjen e pajisjeve ushtarake që Serbia i realizon nga këto dy vende?

Julianne Smith: Mesazhet amerikane në këtë drejtim kanë qenë shumë të qarta. Ajo që u kemi thënë miqve tanë në Serbi është se ata duhet të marrin vendime sovrane, se si bashkëpunojnë apo nuk bashkëpunojnë me Republikën Popullore të Kinës dhe me Rusinë. Këshilla jonë personale, nga Shtetet e Bashkuara, është se ata duhet të bëjnë hapa të kujdesshëm në lidhje me bashkëpunimin me kompanitë në pronësi të Kinës. Ne besojmë se ka rreziqe dhe sfida në një bashkëpunim të tillë, dhe ne, po ashtu, nuk besojmë se kjo është koha e duhur për asnjë vend që të thellojë marrëdhënien e tij me Rusinë, duke marrë parasysh faktin se Rusia po zhvillon luftën më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Prandaj, ne u bëjmë thirrje miqve tanë në Serbi që të mos e thellojnë bashkëpunimin me këto dy vende, me të cilat ata takohen sot. Ato, në shumë mënyra, nuk ndajnë me ne vlerat e sundimit të ligjit, të demokracisë shumetnike, të të drejtave të njeriut, e të tjera, dhe ne po shohim se këto dy vende po varen gjithnjë e më shumë në taktika të ngjashme hibride, nga keqinformimi e sulmet kibernetike, deri tek aktivitetet e tjera të dëmshme. Prandaj, po dërgojmë mesazhe të sinqerta dhe të hapura në bisedat tona me miqtë tanë në Serbi. Por, ne, po ashtu, e kuptojmë se ky është vendimi i tyre sovran.

Sa të shqetësuar jeni për ndikimin e caktuar rus te një aleat tjetër në Ballkanin Perëndimor? E kam fjalën për Malin e Zi. Po shfaqet një ndryshim i narrativëve, një lëkundje parimesh dhe ndikimi i Kremlinit në këta narrativë. A jeni të shqetësuar nga ky ndryshim?

Julianne Smith: Ne po inkurajojmë të gjithë miqtë tanë në Ballkanin Perëndimor që të qëndrojnë të fokusuar në vlerat tona të përbashkëta dhe në aspiratat e tyre euroatlantike. Rusia po bën çfarë po mundet për të lëshuar një lumë fushatash keqinformuese, të cilat shpesh nxjerrin të pavërteta për qëllimet e NATO-s. Ato shpesh përpiqen të pohojnë se NATO-ja është e angazhuar drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë, që gjë është absurde dhe e pavërtetë.

Ato, po ashtu, thonë të pavërteta për atë që bën NATO-ja në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe refuzojnë të pranojnë se NATO-ja është aleancë e mbrojtjes në thelb, dhe nuk kryen agresione apo merr qëndrim sulmues në ndonjë mënyrë apo formë. Rusia është, në fakt, agresorja në rastin e Ukrainës. Rusia e nisi këtë luftë në Ukrainë, dhe, sigurisht, mund ta përfundojë atë nesër, nëse do të donte. Prandaj, ne bashkëpunojmë ngushtë përballë sfidës së keqinformimit, me të gjithë partnerët dhe aleatët tanë në rajon, dhe i inkurajojmë miqtë tanë të mbajnë fokusin në vlerat tona të përbashkëta, në demokracitë dhe shoqëritë shumetnike.

Shtatorin e kaluar ndodhi një sulm serioz në veriun e Kosovës, ku NATO-ja ka paqeruajtësit e saj. Sipas zyrtarëve, ai ishte sulm i drejtpërdrejt ndaj sovranitetit të vendit. A ka SHBA-ja informacione nga inteligjenca rreth asaj se çfarë saktësisht ndodhi atë ditë, se cilat ishin motivet dhe se cilat duhet të jenë pasojat pas këtij sulmi?

Julianne Smith: Në këtë rast specifik, kur e pamë këtë dhunë në shtator, ne sigurisht monitoronim situatën nga afër, këtu në aleancë. Arritëm të bëheshim bashkë dhe të diskutonim si 32 aleatë. Keni të drejtë, aleanca ka një mision në terren, misionin e KFOR-it, me rreth 3.000 trupa. Kemi qenë në kontakt të ngushtë me miqtë tanë në Kosovë, teksa kryheshin hetime. Nuk dua të flas për këto hollësi, por kemi bërë thirrje për llogaridhënie. Kemi folur me Serbinë për këtë incident. Dhe, jemi të fokusuar që t’i shtyjmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen dhe të bëjnë përparim në dialogun e udhëhequr dhe të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Përmendët Kosovën, që vendet të cilat nuk e njohin, përbëjnë pengesë për të që të bëhet anëtare e Partneritetit për Paqe, që është një ndër objektivat strategjike të vendit. Duke marrë parasysh se SHBA-ja konsideron, dhe se kjo është thënë shumë shpesh publikisht nga zyrtarë amerikanë, se Kosova e ka vendin në këtë program, dhe duke pasur parasysh rrethanat për vendet që nuk e njohin, a mendoni se kjo çështje është shumë e ndërlikuar, por jo edhe e pamundur që të ndodhë?

Julianne Smith: Kemi situatën ku katër anëtarë të aleancës janë vende që nuk e njohin dhe duhet ta kemi parasysh këtë. Dhe, kjo duhet të adresohet para se aleanca të mund të ecë përpara me ndonjë lloj partneriteti formal, ndërmjet aleancës dhe Kosovës. Por, për arsye të qarta, mendoj se NATO-ja po e mbështet plotësisht atë që BE-ja po përpiqet të bëjë, pavarësisht faktit se aleanca ka një mision në Kosovë, ne besojmë se të gjithë duhet të synojnë përparimin në dialogun e udhëhequr dhe të ndërmjetësuar nga BE-ja. Vetëm me përparim shtesë në atë drejtim ne mund të kalojmë të çështjet më të mëdha për sa i përket marrëdhënies së Kosovës me aleancën.