Sallahu e quan turp mosvotimin e Marrëveshjes për burgje: U dëmtuan marrëdhëniet me Danimarkën

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar pas dështimit të miratimit të Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan, me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.

Moskalimin për marrëveshjen ndërkombëtare në mes Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues të Gjilanit Sallahu e ka quajtur “tejet dëshpërues dhe shqetësues”.

“Me votimin kundër të kësaj marrëveshjeje nga deputetë të caktuar të opozitës janë dëmtuar marrëdhëniet në mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës. Gjithashtu, me votimin kundër kësaj marrëveshjeje sërish nga disa deputetë të opozitës, Republikës së Kosovës ia kanë humbur 210 milionë euro. Turp!”, shkroi Sallahu në profilin e tij zyrtar në Facebook. /Zëri