PSD: Premtimi për një statut që i ngjan atij të FES-it, premtim për autonomi

Partia Socialdemokrate ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës ka bërë sot të ditur se është duke përgatitur një draftstatut lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, bazuar në propozimin e FES-it.

Sipas PSD-së, premtimi për një statut që i ngjan atij të FES-it është premtim për autonomi, ku sipas tyre ky draft ishte refuzuar nga vetë partia në pushtet më 30 janar 2023.

“Ky draft ishte refuzuar nga LVV-ja me 30 janar 2023. Tutje, kjo letër e nxjerr Asociacionin nga Pakoja e Marrëveshjes Bazike. Aq shumë ishte trumbetuar kjo gjë në publik si një pikë që s'kalohet, për t'u kaluar si një lëvizje e vogël taktike”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq kjo parti, mes të tjerash, është shprehur se ngjarja e sotshme tregon për llojet e marrëdhënieve që kultivon kryeministri Kurti.

“Me këdo, qoftë qytetarë ose ndërkombëtarë, Kurtit kurrë nuk i besohet. Fjala është taktikë lufte. Kështu, e vetmja marrëdhënie me të është ajo instrumentale. Kjo në fakt nuk është marrëdhënie, është mohim i tjetrit”, theksohet tutje. /Zëri