Gërvalla: Kosova bëri pjesën e saj, presim nga KiE-ja ta ftojë Kosovën për t’u anëtarësuar

Qeveria e Kosovës ka bërë sot të ditur se është duke përgatitur një draftstatut lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, bazuar në propozimin e fondacionit gjerman “Friedrich Ebert” dhe se i njëjti draftstatut do të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të këtij muaji.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, në një konferencë për media tha se pas konkretizimit të sotëm të zotimit të Kosovës presin nga Këshilli i Evropës ta përmbushë pjesën e tij dhe ta ftojë Kosovën të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

“Zotimi ynë në letër drejtuar Këshillit të Evropës është serioz dhe i sinqertë… Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushje e zotimeve tona kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vetë të detyrimit dhe ta ftoj Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës si vendit të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur këto kushte. Kosova e pavarur mbetet e palëkundur në kursin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha ajo.