FSK-ja, institucioni më i besueshëm në Kosovë

Në sondazhin për Ballkanin Perëndimor të Institutit Ndërkombëtar Republikan, Forca e Sigurisë së Kosovës del institucioni më i besueshëm në Kosovë.

Në këtë sondazh qytetarët e Kosovës janë përgjigjur që kanë besim të plotë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Sipas këtij sondazhi, rezulton që Forca e Sigurisë së Kosovës gëzon besueshmërinë më të madhe nga të gjitha ushtritë e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, shpreh falënderim ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës për besimin dhe vlerësimin ndaj FSK-së. Gjithashtu, falënderon personelin e FSK-së për kontributin e dhënë për këtë arritje kolektive.

Gjeneral Jashari thekson që ky besim i popullit duhet që më tutje të shpërblehet me punë, përkushtim dhe shërbim me dinjitet ndaj vendit. Së bashku jemi më të fortë”, thuhet në një njoftim të FSK-së. /Zëri