Xi dhe Putini i cilësojnë raportet e tyre si “forcë stabilizuese” në botën kaotike

Lideri kinez, Xi Jinping, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, i cilësuan raportet mes dy shteteve të tyre si “forcë stabilizuese në botën kaotike”, gjatë takimit të tyre në Pekin.

Në vizitën në Kinë, Putin po kërkon që të marrë mbështetje më të madhe nga Pekini për luftën që udhëheqësi rus ka nisur kundër Ukrainës më 2022 dhe për ekonominë e izoluar të shtetit të tij.

Ky është udhëtimi i parë jashtë vendit i Putinit që u rizgjodh edhe për një mandat presidencial në zgjedhjet e marsit.

Rusia është goditur me sanksione të paprecedenta nga Perëndimi që nga nisja e luftës kundër Ukrainës.

Gjatë takimit mes Xisë dhe Putinit, lideri kinez iu referua homologut të tij si “mik i vjetër”, duke shtuar se raportet Kinë-Rusi “ndihmëse për paqe”.

“Kina është e gatshme të punojë me Rusinë... për të ruajtur drejtësinë në botë”, shtoi Xi.

Putin, ndërkaq, i tha Xisë se raportet mes dy shteteve janë “faktorë stabilizues në arenën ndërkombëtare”.

“Raportet midis Rusisë dhe Kinës nuk janë oportuniste dhe nuk drejtohen kundrejt askujt”, tha Putini, sipas njoftimit të lëshuar nga Kremlini.

“Së bashku, ne respektojmë parimet e drejtësisë dhe rendit të botës demokratike që reflekton realitete multipolare dhe bazohet në të drejtën ndërkombëtare”, shtoi ai.

Pas takimit me dyer të mbyllura. Dy liderët nënshkruan një deklaratë të përbashkët për thellimin e “partneritetit strategjik gjithëpërfshirës” mes shteteve të tyre, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve në Kinë, Xinhua.

Udhëheqësi rus arriti në Kinë të mërkurën, disa orë pasi tha se trupat ruse po përparojnë “në të gjitha frontet” në fushëbetejën në Ukrainë, pas nisjes së një sulmi të madh tokësor.

Xi ka kundërshtuar kritikat e Perëndimit për shkak të raporteve të afërta të shtetit të tij me Moskën.

Raportet tregtare Kinë-Rusi kanë lulëzuar që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës dhe më 2023, vlera e tregtisë mes dy shteteve arriti në 240 miliardë dollarë. /REL