Escobari largohet nga posti i tij për Ballkanin, Hovenieri: Kisha nderin të punoj për t’i avancuar qëllimet në dialog

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabirel Escobar, ka përfunduar tashmë mandatin e tij në këtë detyrë.

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier i ka uruar Escobarit gjitha të mirat në detyrën e tij të ardhshme, derisa e ka falënderuar për bashkëpunimin.

“Ndërsa miku dhe kolegu im Gabriel Escobar përfundon detyrën e tij si përfaqësuesi special i sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, i uroj gjithë të mirat në detyrën e tij të ardhshme. Kam pasur nderin të punoj me të për të avancuar qëllimet e SHBA-së në Kosovë dhe në Dialogun e BE-së. I shpreh falënderimet e mia për përkushtimin e tij të palodhur në avancimin e vizionit tonë për një Kosovë dhe rajon të Ballkanit Perëndimor të sigurt, të begatë dhe demokratik”, shkroi Hovenieri.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë një bisede virtuale me gazetarë gjatë javës së kaluar tha se në fund të këtij muaji përfundon mandatin e tij.

Ai shtoi se posti ishte 2-vjeçar, por kishte kërkuar edhe një vit shtesë me shpresën që do të bëhej përparim drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.