Dërgimi i draftstatutit të Asociacionit në Kushtetuese, Knausi: Vuçiqit s’do t’i pëlqejë

Reagime të shumta kanë ardhur pasi Qeveria e Kosovës ka bërë sot të ditur se është duke përgatitur një draftstatut lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, bazuar në propozimin e FES-it.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe drejtori i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerlad Knaus.

Knausi ka thënë se me këtë Kosova përmbush kërkesat dhe premtimet e bëra që nga viti 2013.

“Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft Statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (në kuadër të obligimeve të parapara në nenet 7 dhe 10), të frymëzuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, i cili do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të majit 2024”, ka cituar Knausi letrën e Qeverisë së Kosovës.

Ai tutje është shprehur se Kosova do të dorëzojë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën kushtetuese para fundit të majit bazuar në propozimin shumë të mirë të FES-it, e që plotëson të gjitha kushtet e Bashkimit Evropian dhe kërkesat premtimet e bëra që nga viti 2013.

“Kjo është përmbushje e një premtimi të bërë ndaj PACE-t”, shkroi Knausi.

Ai, mes të tjerash, tha se presidentit serb nuk do t’i pëlqejë kjo.

“Vuçiqit nuk do t’i pëlqejë. Çështja është atëherë: a është për krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe?”, shkroi Knausi. /Zëri