Fico, jashtë rrezikut për jetë
Gjendja shëndetësore e kryeministrit sllovak, Robert Fico, më nuk është në rrezik për jetë, pasi ai u qëllua me armë zjarri teksa po dilte nga një mbledhje të qeverisë të mërkurën, tha zëvendëskryeministri i Sllovakisë.
Sulmuesi e qëlloi Ficon pesë herë. Fillimisht gjendja e tij ishte kritike dhe Fico, 59 vjeç, iu nënshtrua një operacioni në orët e vona të së mërkurës.
“Jam tronditur. Fatmirësisht, me sa di, operacioni shkoi mirë dhe mendoj se ai do t'i mbijetojë [atentatit]. Në këto momente ai më nuk është në rrezik për jetë”, tha zëvendëskryeministri sllovak dhe ministri i Mbjedisit, Tomas Taraba, për BBC.
Taraba tha se një plumb e goditi Ficon në stomak, ndërkaq plumbi i dytë në një kyç. /REL