Gërvalla reagon për plagosjen e kryeministrit sllovak

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka reaguar pas plagosjes së sotme të kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico.

Përmes një reagimi në platformën X, Gërvalla ka shkruar se zemrat e kosovarëve janë me kryeministrin sllovak, duke i uruar atij shërim sa më të shpejt.

“Zemrat tona dhe urimet më të mira shkojnë për kryeministrin sllovak Fico, i cili u qëllua dhe u dërgua në spital. Ne po mendojmë për të dhe të dashurit e tij. Të gjithë i urojmë shërim të shpejtë. Autorët duhet të ndëshkohen”, ka shkruar Gërvalla.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme sllovake konfirmoi të mërkurën se ka ndodhur një atentat për vrasjen e kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico.

Zyra e Qeverisë sllovake tha se Fico është në rrezik për jetë si pasojë e plagëve, dhe se ai u dërgua me helikopter në spitalin e qytetit Banska Bistrica.

Fico, 59, u godit në stomak pasi u shkrepën katër plumba pranë Shtëpisë së Kulturës së Qytetit, Handlova, rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit, sipas TA3.

Fico sapo kishte dalë nga një takim qeveritar kur një i dyshuar shtiu ndaj tij.