Damka: Si përfaqësues i komunitetit turk, ndihem i neglizhuar për bllokimin e Kosovës për KiE

Deputeti turk, Fikrim Damka, ka thënë se është i zhgënjyer nga lajmi se Kosova nuk është përfshirë në agjendën e takimit të kësaj jave të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës është meritor, sepse i ka plotësuar të gjitha kriteret për të qenë pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare.

“Kushti i disa vendeve evropiane me progres në një proces krejtësisht të ndarë nga ai i anëtarësimit në Këshillin e Evropës është i padrejtë ndaj Kosovës dhe padrejtësi nga komunitetet e tjera joshumicë në Kosovë”.

“Si anëtar dhe përfaqësues i komunitetit turk në Kosovë, ndihem i neglizhuar nga liderët e shteteve mike që deri më tani kanë vendosur të bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Komuniteti turk është bashkësi kushtetuese e Republikës së Kosovës, e cila ka kontribuuar dhe vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e shtetit të Kosovës dhe në harmoninë ndëretnike në Kosovë”, tha Damka.