Lekaj: AAK-ja shkon në zgjedhje për ta çuar në shtëpi Kurtin
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha se partia që ai e përfaqëson është e interesuar ta dërgojë kryeministrin Albin Kurti në shtëpi dhe ta formojë qeverinë e re pa Kurtin, raporton teve1.info
Në emisionin “Info-Nata” në Tëvë1, Lekaj tha se AAK-ja do të jetë befasia e këtyre zgjedhjeve bashkë me Nismën.
“AAK-ja është e qartë, shkon në zgjedhje për ta çuar në shtëpi zotin Kurti dhe pastaj pas zgjedhjeve të ulemi e të bisedojmë me opozitën për të krijuar një qeveri të re, por pa zotin Kurti”, tha Lekaj.
I pyetur nëse mund ta formojë qeverinë me PDK-në, Lekaj u përgjigj që pa zotin Kurti derisa shtoi se AAK-ja hyn si opozitë në zgjedhje.
Ndërsa, i pyetur nëse pret që në seancën parlamentare të së enjtes do të miratohen marrëveshjet ndërkombëtare me votën e PDK-së, Lekaj tha se nëse ndodh një gjë e tillë, PDK-ja ka marrëveshje me LVV-në dhe Kurti është fitues.
“Nëse ka pajtueshmëri dhe votohet edhe Kodi Civil edhe Marrëveshjet ndërkombëtare me votën e PDK-së i themi që këta kanë një marrëveshje që vendin ta çojnë në zgjedhje dhe Kurti është fitues në këtë drejtim sepse dihet se e ka ulë zërin e opozitës dhe në këtë rast në vend se opozita del fuqishëm e bashkuar të të punojmë së bashku për ta rrëzuar këtë qeveri, ne po merremi me veten tonë dhe po e harrojmë atë kryesoren, kryefjalën që është zoti Kurti”, tha Lekaj.
Ai shtoi se AAK-ja hyn në zgjedhje për ta ndryshuar qeverisjen dhe që opozita ta formojë Qeverinë.
“Aleanca hyn në këto zgjedhje për të ndryshuar qeverisjen dhe nuk aludon te LVV-ja, por që aludon që opozita ta formojë qeverinë. Kjo është ajo që ne synojmë, punojmë dhe kemi punuar në vazhdimësi”, tha Lekaj.