Bislimi e ministri hungarez, Boka bisedojnë për rrugëtimin e Kosovës në BE

Takimi i fundit i vizitës zyrtare në Budapest i zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u zhvillua me ministrin për Çështje të Bashkimit Evropian të Hungarisë, Janos Boka.

Sipas një komunikate për media nga Qeveria, zëvendëskryeministri Bislimi pati mundësinë të njihej së afërmi përmes këtij takimi me prioritetet e Presidencës së ardhshme të Hungarisë në Këshillin e Bashkimit Evropian, e cila starton nga data 1 korrik.

Ndër prioritetet kryesore është dhe zgjerimi i BE-së me fokus në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilën zëvendëskryeministri e përshëndeti dhe vlerësoi lartësisht.

“Në dritën e integrimit të rajonit në BE, ai foli për situatën aktuale të Kosovës në këtë rrugëtim, ku shprehu mbështetjen e lartë qytetare në vend për aderim në unionin evropian, nënvizoi aplikimin tonë për anëtarësim në dhjetorin e vitit 2022 dhe nevojën për trajtimin e këtij aplikimi me qëllim arritjen e hapave konkret tutje përmes marrjes së pyetësorit e më pas statusit të vendit kandidat, por edhe theksoi përkushtimin në zbatimin e agjendës së reformave evropiane dhe punën e cila po zhvillohet aktualisht në kuadër të Planit të Rritjes”, njofton Zyra për Komunikim Publik.

I pranishëm në këtë takim ishte dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, i cili trajtoi reformën në administratën publike si pjesë e proceseve me vëmendje të veçantë në arritjen e standardeve dhe zbatimit të praktikave efektive evropiane.

“Duke i uruar suksese shtetit të Hungarisë në presidencën e tyre të ardhshme në Këshillin e BE-së, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të ngushtë e produktiv“, thuhet tutje në njoftim.