MPJ-ja reagon lidhur me akuzat për vjedhje të platformës “Made in Kosova”

Këndi dhe platforma “Made in Kosova” (MiK) do të përurohet zyrtarisht sot, 14 maj 2024, në orën 14:00, në “TechPark Prishtina”.

Ministria e Jashtme, përmes një komunikate, thotë se ky projekt është rezultat i një konsultimi e koordinimi të ngushtë në mes të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës me “USAID Compete Activity”.

“‘Made in Kosova’ (MiK) promovon Republikën e Kosovës në fushat ekonomike, kulturore dhe turistike. Ky projekt është vazhdimësi e punës me partnerët tanë lokalë e ndërkombëtarë për të prezantuar Republikën e Kosovës sa më mirë në arenën ndërkombëtare, ndër të tjera edhe duke mbështetur misionet tona diplomatike gjithë andej botës. Kështu, ‘Made in Kosova’ (MiK) promovon shërbime nën emblemën e saj, e cila nuk krahasohet as nga paraqitja e as nga përmbajtja me çfarëdo projekti, nisme ose shenje tregtare të regjistruar më parë”, thuhet në reagimin e MPJD-së.

Tutje, thuhet se ‘Made in Kosova’ (MiK) u përket Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Pra është projekt në pronësi shtetërore dhe si platformë institucionale nuk paraqet pronë private të askujt. Andaj, institucionet e Republikës së Kosovës konsiderojnë se është shqetësues dhe joetike që ndaj emrave të përveçëm të zyrtarëve publikë të përhapen akuza linçuese e të pa asnjë bazë ligjore”.

Akuzat për vjedhje të idesë i kanë quajtur tendencioze dhe të pabazuara, transmeton Zeri.info.

“Mëtimi për të pronësuar emrin që në thelb paraqet prejardhje apo origjinë nga Kosova, në gjuhë angleze si ‘lingua franca’, është tendencioze dhe e pabazuar. Për më tepër, pretendimi që këndi dhe platforma ‘Made in Kosova’ (MiK) ka të bëjë në çfarëdo mënyre me ndonjë shenjë tregtare të regjistruar nuk qëndron dhe shërben vetëm në dëm të interesave të Republikës së Kosovës, vlerat e të cilës tani e tutje do të promovohen edhe nga këndi dhe platforma ‘Made in Kosova’ (MiK)”.

“‘Made in Kosova’ (MiK) është dhe do të vazhdojë të jetë unike dhe e vetme si për nga paraqitja, përmbajtja, ashtu edhe nga autenticiteti. Në këtë frymë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mbetet e përkushtuar të vazhdojë edhe me këtë aktivitet, përmes një numri të mekanizmave dhe nismave institucionale për të lidhur Kosovën me botën, në bashkëpunim me profesionistë dhe partnerët tanë lokalë e ndërkombëtarë”, thuhet në reagim. /Zëri