Momenti kur Kosova u pranua në FIFA [video]

Tetë vjet më parë, Kosova ishte pranuar në shtëpinë më të madhe të futbollit në botë, FIFA.

Në kongresin e 66-të të FIFA-s të vitit 2016 të mbajtur në Meksikë, delegatët pjesëmarrës kishin votuar në shumicë për Kosovën, shkruan Zeri.info.

Nga 205 delegatë që patën marrë pjesë në këtë kongres, Kosova kishte marrë 141 vota pra, duke hyrë kështu përfundimisht në FIFA si anëtarja më e re e shtëpisë më të madhe të futbollit në botë.

Në përqindje, Kosova mori 86 për qind të votave, dhe 14 për qind ishin kundër.

Me t'u pranuar në FIFA, Kosova kishte të drejtën të paraqitej në eliminatoret e Kampionatit Botëror "Rusia 2018", ku në këtë fazë, në krye me Albert Bunjakin, grumbulloi vetëm një pikë.

Edhe pse kishte kundërshtarë të shumtë për pranimin e Kosovës në FIFA, më në fund drejtësia erdhi në vend, fitoi futbolli, fitoi Kosova e cila është në FIFA e barabartë me të gjitha shtetet e botës.

Padyshim që meritori më i madh për anëtarësimin e Kosovës në FIFA ishte legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, i cili në atë kohë ishte edhe kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Më pas një fjalim e mbajti edhe kryetari i atëhershëm i FFK-së, i ndjeri Fadil Vokrri, i cili u sqaroi delegatëve se futbolli në Kosovë ka një historik të madh dhe iu kujtoi se tashmë Kosova ishte pranuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe nga shumë federata tjera sportive ndërkombëtare.

Në fund të fjalimit të tij Vokrri tha se futbolli është për të gjithë dhe të gjithë duhet të jenë për futbollin, duke kërkuar që Kosova të marrë votat e të pranishmëve për anëtarësim në FIFA.

Pas Vokrrit delegatëve iu drejtua nënkryetari i Federatës së Futbollit të Serbisë, i cili kundërshtoi anëtarësimin e Kosovës, por pas përfundimit të fjalimit të tij presidenti i FIFA-s, Gianni Ifantino theksoi se Kongresi është trupi suprem që vendos për çështjen e Kosovës dhe kërkoi që të kalohet në votimin elektronik, ku Kosova mori 141 vota.

Në fjalimin e tij para Kongresit pas pranimit Vokrri falënderoi presidentin e FIFA-s, zëvendëpresidentët dhe të gjithë anëtarët e Këshillit të FIFA-s.

“Kjo është një datë shumë e rëndësishme për ne, pasi sot jemi pjesë e FIFA-s. Të gjithë në Kosovë i gëzohen këtij vendimi të Kongresit të FIFA-s. E kemi pritur një kohë të gjatë këtë vendim dhe jemi shumë të lumtur. Ju premtoj se ne do t’i mbrojmë vlerat e futbollit”, pati deklaruar Vokrri, i cili në mënyrë simbolike mori emblemën e FIFA-s si dhuratë nga presidenti Infantino.

Për më shumë, në videon e mëposhtme mund t'i shikoni momentet nga pranimi i Kosovës në FIFA. /Zëri