Rama niset për Tiranë: Rend evropian e paqeje e prosperitet me Greqinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar para se të niset për Tiranë nga Athina pasi pati takim me diasporën shqiptare atje.

Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka falënderuar të gjithë shqiptarët për mbështetjen e dhënë që morën pjesë sot në numër të madh në takimin me Ramën.

“Para nisjes për Tiranë nga Athina, pas përjetimit në çdo qelizë të frymës së thellë të atdheut mes shqiptarëve të Greqisë dhe me ndjenjën më të hatashme të mirënjohjes, për të gjithë ata që u derdhën lumë drejt Stadiumit Galatsi, ku u bënë shembëlltyra e një zemre gjigande shqiptare, që rrahu anembanë vendit fqinj, duke e shfaqur sot Shqipërinë me të gjithë krenarinë legjitime të bijve e bijave të saj dhe me dëshirën e fortë për të hapur”.

“Sipas porosisë së Naimit tonë një kapitull të ri vëllazërimi, rendi evropian e paqeje me prosperitet me Greqinë, ku realiteti i ri që ka krijuar afirmimi qytetar i shqiptarëve të Greqisë, si edhe realiteti i afirmuar i grekëve të Shqipërisë, na e ka vënë mu përpara syve ftesën e urtë për ta parë të shkuarën përmes të ardhmes, e jo më anasjelltas nëse duam, bashkarisht, që më në fund Shqipëria dhe Greqia të bëjnë për popujt e tyre, atë që popujt e tyre kanë bërë për njëri-tjetrin përgjatë historisë”, ka thënë Rama.