Deputetja serbe i kapet se “organizoi shfuqizimin e Gjykatës Speciale”, Grenell: Ideja ishte që secili vend të hetonte brenda vendit

Në një deklaratë të mëhershme se kishte arritur t’i bindte ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, deputetja serbe, Marinka Tepiq, i është kapur së fundmi ish-emisarit të SHBA-së, Richard Grenel.

Në një seancë të Komisionit të Kuvendit të Serbisë për kontrollin e shërbimeve të sigurisë, anëtarja deputetja e Partisë për Liri dhe Drejtësi Marinika Tepiq, siç raporton N1, iu referua një interviste të ish të dërguarit amerikan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ajo pretendonte se Grenell kishte deklaruar në intervistë se ai, Donald Trump, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi kishin arritur më parë një marrëveshje historike që përfshinte shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“A nuk mendoni se do të ishte mirë që ne ta dinim dhe Serbia ta dinte nëse kjo është e vërtetë apo zoti Grenell po përhap informacione të rreme për Aleksandar Vuçiqin? Le të na thotë mirë Grenell nëse është e vërtetë që Vuçiq ka bërë marrëveshje historike për t’i shfuqizuar gjyqet e UÇK-së për krime kundër serbëve? Thirrni edhe presidentin e Serbisë – e kam regjistrimin, mund t’ia lëshojmë, është një intervistë e madhe në një platformë publike amerikane, kështu që edhe në rast se ai shmang përgjigjen, ndoshta të paktën do t’u përgjigjet gazetarëve”, tha Tepiq.

Grenell iu përgjigj këtyre pretendimeve në një postim në “X”, duke shpjeguar se si ishte ideja, sipas tij.

“Kjo grua nuk e di se për çfarë po flet. Ajo nuk ishte e përfshirë fare. Ajo po nxjerr përfundime të shpejta pasi dëgjoi një intervistë. Ne kemi nevojë për politikanë që janë më seriozë në gjetjen e fakteve sesa të flasin para se të dinë. Fakti është se ideja ishte që secili vend t’i hetonte krimet e dyshuara dhe të merrej me to brenda vendit – jo përmes një gjykate ndërkombëtare jashtë vendit të tyre, por në Serbi. Është për të ardhur keq që ajo nuk beson në sovranitetin e vendit të saj”, shkroi Grenell.