Derisa Izraeli futet më thellë në Rafah, Hamasi rigrupohet në pjesët e tjera të Gazës
Forcat izraelite i vazhduan luftimet kundër militantëve palestinezë nëpër Rripin e Gazës të dielën, përfshirë në pjesët e shkatërruara të veriut për të cilat ushtria kishte thënë se i kishte pastruar muaj më parë.
Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – e ka shfrytëzuar mungesën e sigurisë në ato pjesë të enklavës për t’i rigrupuar forcat e veta.
Izraeli ka thënë se qyteti Rafah i Gazës është bastioni i fundit i Hamasit, dhe ngul këmbë se i duhet ta pushtojë atë patjetër për ta arritur qëllimin e vet për shfarosjen e këtij grupi dhe për kthimin e pengjeve. Një ofensivë e kufizuar në Rafah është zgjeruar në ditët e fundit dhe si pasojë rreth 300.000 palestinezë janë detyruar të ikin nga qyteti.
Megjithatë, pjesët e tjera të rrënuara nga lufta në Gazë duket se po i ofrojnë Hamasit mundësi të mjaftueshme për t’u rigrupuar.
Palestinezët raportuan për bombardime të mëdha izraelite gjatë natës së fundit në kampin e refugjatëve Xhabalia dhe në zonat e tjera në veri të Rripit të Gazës, i cili ka pësuar dëme të jashtëzakonshme dhe është mbajtur i izoluar nga forcat izraelite për muaj të tërë.
Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thonë se në veri të enklavës ka “urie absolute”.
Banorët thanë se avionë luftarakë të Izraelit kryen sulme në kamp dhe në zonën Zeitoun në lindje të Qytetit Gaza, ku trupat izraelite janë duke luftuar kundër pjesëtarëve të Hamasit tash e disa javë.
“Ishte një natë e vështirë. Kjo është çmenduri”, tha Abdel-Kareem Radëan, një palestinez nga Xhabalia. Ai tha se ka dëgjuar bombardime të pareshtura prej mesditës të shtunën.
Pjesëtarët e ekipit të shpëtimit Mbrojtja Civile Palestineze thanë se nuk kanë qenë në gjendje t’u përgjigjen thirrjeve të shumta për ndihmë në ato zonë, si dhe në Rafah, në pjesën lindore të Gazës.
Trupat izraelite janë duke luftuar kundër Hamasit në Rafa prej se ushtria e mori në kontroll pikëkalimin kufitar me Egjiptin në këtë qytet javën e kaluar.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), Daniel Hagari, tha se trupat janë duke luftuar në të gjitha pjesën e Gazës, “në pjesët ku nuk kemi kryer operacione ende, dhe në pjesët ku kemi kryer”.
Mbi 1.3 milion palestinezë ishin të strehuar në Rafah para se të niste ofensiva izraelite, shumica e të cilëve kishin ikur nga luftimet në pjesët e tjera të enklavës.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i japin Izraelit armë për të kryer ofensivë në Rafah.
Të premten, administrata e tij tha se ka prova të “arsyeshme” se Izraeli e ka shkelur ligjin ndërkombëtar për mbrojtjen e civilëve.
Izraeli i kundërshton këto akuza, duke thënë se përpiqet ta shmangë dëmtimin e civilëve dhe e fajëson Hamasin për numrin e madh të të vrarëve.
Lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë ka nisur shtatë muaj më parë, kur pjesëtarët e këtij grupi kryen sulme befasuese në tokën izraelite, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer rreth 250 të tjerë.
Në luftën hakmarrëse të Izraelit në Gazë janë vrarë afro 35.000 palestinezë prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë. /REL