Dyshimet për parregullsi në gradimin e policëve, IPK-ja krijon grup të veçantë hetimor

Pasi u raportua se në konkursin për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në “Rreshter”, gjegjësisht gjatë testit me shkrim ka pasur keqpërdorime e favorizime, Inspektorati Policor ka nisur veprimet konkrete. Ai ka marrë vendim për krijimin e një ekipi të veçantë, i cili do të hetojë këtë proces që nga fillimi. Policia është deklaruar e hapur ndaj çfarëdo hetimi për këtë rast

Pjesëmarrja e gjeneratës së 54-të të Policisë së Kosovës në testimin për rreshter në kundërshtim me kriteret ligjore për gradimin e policëve dhe dyshimet se pati shpërndarje të pyetjeve para ditës së testimit, kanë aktivizuar Inspektoratin Policor.

Për këto dyshime, tashmë IPK-ja ka njoftuar se krijuar një ekip të veçantë, i cili do të hetojë në tërësi procesin.

“Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj ka marrë vendim për krijimin e një ekipe të përbashkët inspektuese-hetuese për të hetuar dhe inspektuar tërë procesin e gradimit nga momenti i shpalljes deri në fazën aktuale. IPK varësisht nga të gjeturat do të ndërmarrë veprimet e nevojshme bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore”, tha Inspektorati i Policisë së Kosovës.

Për mbarëvajtjen e procesit, IPK-ja ka pranuar disa ankesa. E, shumë të tilla kanë ardhur edhe në adresë të Dukagjinit.

Njëri prej zyrtarëve policorë që ka kaluar me sukses testin me shkrim, i ka thënë televizionit në kushte anonimiteti se parregullsitë në qendrën e testimit në Prizren kanë qenë të mëdha.

“Testimi është mbajtur në amfiteatrin e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, ku mundësia për kopjim ka qenë shumë e madhe, ku dhe ka pasë kopjim shumë të madh. Gjithashtu kandidatët janë lejuar që të dalin nga salla e testit me arsyen kinse për të shkuar në banjo. Besoj që ka kamera në korridore ku mund të shihen edhe lëvizjet e shumta të policëve”, tha zyrtari policor, pjesëmarrës në testim.

Policia insiston se nuk ka pasur favorizime, derisa deklarohet e hapur për çfarëdo hetimi në këtë rast.

“Faza e përgatitjes së testit dhe printimit të tij është e monitoruar me kamera, është numër i kufizuar i personave që marrin pjesë në printim, si institucion jemi të hapur për çfarëdo rishikimi apo hetimi sa i përket kësaj çështje. Ndërsa sa i përket mbarëvajtjes së procesit, personeli i kyçur në monitorim pas përfundimit raporton të gjitha të gjeturat dhe në rast se vërtetohet se ka shkelje nga ndonjë zyrtar merren masa konform procedurave, Udhëzimit Administrativ”, tha Policia e Kosovës.

Për gjithë këto zhvillime, Rrahman Sylejmani që më parë ka qenë hetues policor, thotë se konkursi duhet të pezullohet.

“Të anulohet ndoshta është herët por të pezullohet çdo procedurë e mëtutjeshme rreth përfundimit te këtij cikli te testit sepse aty pasojnë edhe intervistat me goje dhe verifikimet tjera kështu që do te duhej te pezullohet çdo aktivitet i radhës”, tha Rrahman Sylejmani, ish-hetues policor.

Testi me shkrim është mbajtur me 4 maj, të cilit për 355 pozita të lira në gradën e rreshterit, i janë nënshtruar mbi 2 mijë zyrtarë policorë.