Presidenca belge, pro heqjes së masave ndaj Kosovës

Me organizimin e referendumit në katër komunat veriore të vendit, Kosova konstatoi se ka përmbushur marrëveshjen katërpikëshe me Bashkimin Evropian, që u nënshkrua në Bratislavë. Në këmbim po kërkon heqjen e masave ndëshkuese që u vendosën për shpërthimin e tensioneve në veri. Megjithatë, masat vazhdojnë të jenë në fuqi dhe heqjes së tyre duhet t’i paraprijë një raport i kryediplomatit Borrell, i cili do të jetë pikëreferimi për Këshillin e BE-së që të marrë vendim për këtë. Belgjika, e cila udhëheq Presidencën e BE-së, është pro heqjes së masave dhe një qasje të balancuar mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenca e Belgjikës, e cila ka në përgjegjësi çuarjen përpara të punëve të Këshillit, në një përgjigje për gazetën Express ka thënë se BE-ja ka gatishmëri për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, por përmendi “përparim të mëtejshëm”.

“Në përputhje me konkluzionet për Zgjerim të Këshillit të 12 dhjetorit 2023, BE-ja është e gatshme të heqë masat ndaj Kosovës në rast të përparimit të mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave të BE-së. Këshilli i BE-së do t’i rikthehet çështjes në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë për përmbushjen e këtyre kërkesave nga Kosova”, tha zëdhënësi i Presidencës belge, David Jordens.

Ai tha se vendi i tij është pro një qasje të balancuar mes Kosovës dhe Serbisë dhe po ashtu pro heqjes së këtyre masave.

“Belgjika kërkon një qasje të ekuilibruar ndaj Serbisë dhe Kosovës, përfshirë edhe kur bëhet fjalë për masat e BE-së. Në këtë perspektivë, Belgjika është në favor për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës kur të ndërmerren veprimet e duhura për adresimin e kërkesave të BE-së”.

Për masat dje ka folur edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili tha se raporti i përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell, është afër finalizimit.

“Unë mund të konfirmoj pa diskutuar në publik vijueshmërinë e procesit në Këshill, mund të konfirmoj që raporti është afër finalizimit dhe eventualisht të dorëzohet te Këshilli Evropian”, ka thënë Stano.

Në fillim të këtij muaji, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar që masat të hiqen, duke thënë se ato “bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos edhe me planin e rritjes e me qëllimet e tij”.

“Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave me BE-në dhe në këtë kontekst ne kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, kishte thënë Kurti në mbledhjen e gjashtë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian.

Në fund të prillit, Bashkimi Evropian në një përgjigje thënë se Kosova kishte mundësuar terrenin për të zgjedhje të reja përmes organizimit të votimit për heqjen e kryetarëve.

“BE-ja shpreh keqardhjen që serbët e Kosovës në veri të Kosovës humbën mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarë komunash që do të ishin vërtet përfaqësues. Rezultati nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, gjë që është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve. Për masat, në përputhje me Konkluzionet e tij të 12 dhjetorit 2023, Këshilli do të diskutojë masat e BE-së në bazë të një raporti të përfaqësuesit të lartë mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së”, kishte thënë BE-ja.