Hakerët rusë sulmuan faqet e institucioneve të Kosovës
Hakerët rus kanë sulmuar faqet e institucioneve të Kosovës, të cilat gjatë ditës nuk kanë qenë në funksion. Sipas njoftimit nga qeveria, cak i sulmeve ka qenë faqja e Presidencës dhe Kryeministrisë, të cilat edhe janë rikthyer shpejt në funksion.
Këto faqe janë sulmuar, siç ka njoftuar për RTKLive, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pas deklaratave që ai i ka dhënë kundër Rusisë.
“Ky grup i hakëreve rus ka zhvilluar sulm kibernetik kundër Kosovës si hakmarrje ndaj deklaratës time në mbështetje të Ukrainës”, ka deklaruar Maqedonci, i cili ka qëndruar në Poloni në Konferencën e mbrojtjes "Defense 24".
Në reagimin e hakëreve rus përmendet fjalimi i ministrit Maqedonci, i cili ka thënë, sipas tyre, se “Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmë ushtarake Ukrainës”.
“Kosova është e gatshme t’i bashkojë përpjekjet kolektive për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës. Ata duhet të mendojmë më shumë për këtë...”, kanë shkruar rusisht këta hakera duke përmendur ministrin Maqedonci.
Kujtojmë po ashtu, se një ditë më parë dy qytetarët rus janë arrestuar në veriun e Kosovës, pasi kishin hyrë në vendin tonë nëpërmjet rrugëve ilegale.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë për dy personat e ndaluar ka ngritur aktakuzë me kërkesën për dëbim jashtë territorit të Kosovës, për shkak të veprës penale - Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare", ka thënë për RTKlive zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.
Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se në Jarinjë janë arrestuar dy persona me pasaporta ruse dhe që nuk kishin vizë të Kosovës. Ata dyshohet se kishin hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale.