Vrasja në tentativë në Kolovicë, një muaj paraburgim për Arijan Sijarinën

Gjykata Themelore në Prishtina ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Arijan Sijarinës, të dyshuarit për “vrasjen në tentativë” në lagjen Kolovicë në Prishtinë.

I pandehuri dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprat penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë, asgjësimi apo dëmtimi të pasurisë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.

Tutje, nga komunikata për medie bëhet e ditur se me moscaktimin e masës së paraburgimit i pandehuri do të mund të përsëritë veprat penale.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake ka konstatuar se mos caktimi i masës së paraburgimit, do të kishte për pasojë që i pandehuri do të asgjësojë, fsheh, ndryshojë apo falsifikojë provat e veprës penale dhe do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, po ashtu gjykata ka konsideruar se më lënien e tij në liri ekziston mundësia e përsëritjes së veprës penale apo kryerjes së ndonjë vepre tjetër te natyrës se njëjtë apo të ngjashme apo përfundimi i veprës së mbetur në tentativë”, shkruhet në njoftimin e gjykatës.

Policia e Kosovës kishte kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të zbuluar vendndodhjen e dy personave, të dyshuar për veprën penale – vrasje në tentativë, që ka ndodhur më 26 mars në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë.

Ndryshe, më 25 prill të këtij viti, për të njëjtin rast, Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit tjetër Fitim Doda.