COVID 19 rriti obezitetin, OBSH: Fëmijët shtuan orët e qëndrimit pasiv
Pandemia ‘COVID 19’ ka përfunduar por pasojat e saj, vazhdojnë të ndihen ende në shumë fusha e veçanërisht atë shëndetësore.
Një raport i ri i OBSH-së për Evropën ka konfirmuar lidhjen midis pandemisë dhe rritjes së shkallës së obezitetit tek fëmijët 7 deri në 9 vjeç.
Ekspertët e shëndetësisë botërore kanë faktuar se izolimi i fëmijëve çoi në më shumë orë para ekranit, më pak aktivitet fizik, duke pasqyruar një rritje të fëmijëve mbipeshë.
Mes 50 mijë fëmijëve të pyetur në 17 shtete, përgjatë viteve 2021-2023 u pa se 36 për qind e tyre shtuan kohën e kaluar përpara televizorit, duke luajtur lojëra në internet ose duke përdorur mediat sociale gjatë ditëve të javës, dhe 34 për qind rritën kohën e tyre rekreative në ekran gjatë fundjavave.
Sa i takon aktiviteti fizik, 28 për qind e fëmijëve dëshmuan se ulën kohën e aktivitetit fizik në natyrë gjatë ditëve të javës, dhe 23 për qind përjetuan një rënie në fundjavë.
Tre vitet e pandemisë së COVID 19, ndikuan dhe në shëndetin mendor dhe emocional të fëmijëve. Sipas të njëjtit studim mësojmë se 42 për qind e fëmijëve raportuan rënie të lumturisë dhe mirëqenies, ndërkohë që 1 në 5 fëmijë raportoi se ndihej më shpesh i trishtuar; dhe 1 në 4 ndihej më shpesh i vetmuar.
Megjithatë, pandemia regjistroi dhe një faktor pozitiv sa i takon gatimit të vakteve në shtëpi dhe konsumit të tyre së bashku në familje si dhe gatimit të tyre së bashku me fëmijët.
Për ekspertët ky studim është një kambanë alarmi, pasi 1 në 3 fëmijë në Evropë jeton me mbipeshë dhe obezitet dhe tashmë konsumi i frutave dhe perimeve është i ulët. /euronews