Tejkaloi në vijë të plotë me autobus, shoferi në Ferizaj gjobitet dhe i hiqet patenta e shoferit për tre muaj

Tejkaloi në vijë të plotë me autobus, shoferi në Ferizaj gjobitet dhe i hiqet patenta e shoferit

Policët e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj kanë ftuar shoferin e autobusit V.M. (M/K) 34-vjeçar, i cili me autobus ka bërë tejkalimin në vijë të plotë të një veture.

Ndaj tij policia ka shqiptuar një gjobë kundërvajtëse 200 euro, dy pikë negative dhe tre muaj masë mbrojtëse, heqje e patentës së shoferit.

Ky rast ishte raportuar në Polici nga një qytetar me fotografi, transmeton Zeri.info.

“Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe apelojmë te shoferët të bëjnë kujdes në komunikacion, të mos bëjnë tejkalim në vijë të plotë.

Ndërsa falënderojmë qytetarët që po bashkëpunojnë me ne dhe inkurajojmë të tjerët që të bashkëpunojnë me Policinë. Për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë Policinë, stacionin më të afërt, ose përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’ dhe në numrat kujdestarë: 192,0290/326-250 & 0290/322-406. Të dhënat tuaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë. Me respekt!”, thuhet në apelin e Policisë. /Zëri