Nagavci u kërkon maturi pas deklarimeve të SBASHK-ut
Pakënaqësitë e mësimdhënësve, të përfaqësuar nga SBASHK-u, edhe një herë pritet të adresohen në protestën e paralajmëruar për 1 maj, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.
Dy ditë para protestës, për situatën e krijuar ka folur edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Nagavci pretendon se kërkesat e adresuara edhe janë shqyrtuar, derisa i ka ftuar krerët e SBASHK-ut, për maturi në deklarime.
“Çdo kërkesë e adresuar është shqyrtuar, me sa jam në njohuri nuk kemi ndonjë kërkesë zyrtare me ndonjë temë të caktuar me të cilën do të bisedojmë. Si ministri e ministre jam çdo ditë afër mësimdhënësve e shkollave, jam tejet e interesuar që bashkë me të gjithë të punojmë për të përmirësuar cilësinë në arsim.Ka shumë punë për të bërë dhe shumë vullnet, kështu edhe kryetarin e SBAShK-ut, e tjerët i kisha ftuar që me qenë të matur në deklaratat tyre. Ne i kemi takuar vazhdimisht edhe unë, edhe zëvendësministri”, thotë Arbërie Nagavc-Ministrja e Arsimit.
Por i menjëhershëm ka qenë përgjigjja e SBASHK-ut.
Për televizionin, kryetar i SBASHK-ut, Rrahman Jashari ka thënë se vazhdimisht janë injoruar kërkesat e tyre.
“Nagavci që nga greva 2022 nuk e ka pranuar dialogun, ne kemi dërguar shkresë e shkresa. Në emër të SBASHK-ut i kam bërë edhe më 22 prill një kërkesë që të takohemi pastaj ia kam dërguar edhe të gjitha kërkesat tona në informatën se do të ketë kërkesë më 1 maj kemi pritur që të na thërras të takohemi. Duke munguar dialogu dhe takimet me institucionet jemi të detyruar që më një maj të dalim në protestë”, u shpreh Jashari.
Kërkesa kryesore drejtuar Qeverisë nga SBASHK-u, është rritja e vlerës së koeficientit të pagave për 30 për qind.