BE-ja më lehtë do ta përballonte financiarisht integrimin e Ballkanit sesa të Ukrainës

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, tha se Bashkimit Evropian i duhet një buxhet më ambicioz në të ardhmen, në mënyrë që të realizojë qëllimet e veta politike. Ndërkaq, sa i përket ndikimit që do të ketë zgjerimi i bllokut në buxhetin e BE-së, Pllenkoviq tha se “pranimi i vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk do të jetë ndonjë barrë e madhe financiare për BE-në, por pranimi i Ukrainës do të jetë ndryshe".

Pllenkoviq tha se duke pasur parasysh faktin që Ukraina ka një territor shumë të madh, ka një varësi të madhe nga bujqësia, ndërsa është një vend që aktualisht po përballet me agresionin rus. Andaj, sipas tij, për Ukrainën, procesi i anëtarësimit në BE duhet të ndjekë një rrugë të veçantë, ku do të merrej parasysh edhe aspekti financiar.

Të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor së bashku kanë më pak banorë sesa Ukraina.

Të hënën, më 29 prill, në Bruksel u mbajt konferenca e parë kushtuar strategjisë buxhetore të BE-së.

Zyrtarë të tjerë të bllokut evropian thanë se integrimi i Ukrainës do të ketë ndikim të dukshëm në rrjedhat buxhetore të BE-së.

Ndikimi më i madh do të jetë posaçërisht në politikën e bujqësisë dhe në atë të kohezionit dhe zhvillimit rajonal, ku edhe shkon pjesa më e madhe e buxhetit të Bashkimit Evropian. Politika e kohezionit ka për qëllim që vendet të cilat janë më pak të zhvilluara të marrin më shumë mjete financiare nga BE-ja për të zvogëluar dallimin me anëtarët që janë më të zhvilluar. Kjo i bën vendet më të zhvilluara të bllokut të jenë neto pagues në buxhet, ndërsa ato më pak të zhvilluara si neto shfrytëzues.

Më herët, instituti Bruegel kishte vlerësuar se në një periudhë shtatëvjeçare, anëtarësimi i Ukrainës në BE, sipas rregullave të tanishme, do të kushtonte rreth 132 miliardë euro, pa llogaritur shpenzimet që do të duhen për rindërtimit e Ukrainës për shkak të luftës.

Gjatë konferencës në Bruksel u tha se BE-ja duhet të marrë parasysh edhe pranimin e vendeve të reja gjatë hartimit të kornizës shumëvjeçare për periudhën pas vitit 2027, kur skadon edhe korniza e tanishme buxhetore.

Zakonisht BE-ja miraton një kornizë financiare për një periudhë shtatëvjeçare, e në kuadër të saj pastaj miratohen buxhetet njëvjeçare.

Korniza e tanishme shumëvjeçare financiare është caktuar për periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2027 dhe sipas saj buxheti vjetor i BE-së mund të shkojë rreth 170 miliardë euro. Por, që tani në BE kanë nisur përgatitjet për kornizën e re për periudhën 2028-2034.

Pasi Bashkimi Evropian llogarit se deri në atë periudhë do të mund të ndodhë edhe zgjerimi, duke pranuar anëtarë të rinj, atëherë këtë duhet parashikuar edhe në kornizën buxhetore. Propozimi i parë për këtë pritet të jetë ndër detyrat e para të Komisionit të ri Evropian që do të duhej të nisë punën në fund të këtij viti. Dhe në vitin 2025 duhet të propozojë draftin e parë të kornizës shumëvjeçare financiare të BE-së, që pastaj të nisin negociatat edhe me Parlamentin Evropian edhe mes vendeve anëtare për të arritur kompromisin për këtë.

Në konferencën në Bruksel kanë marrë pjesë disa komisionarë të BE-së, përfaqësues të presidencës belge të BE-së, por edhe udhëheqës të disa shteteve anëtare.

Komisionari për buxhet i BE-së, Johannes Hahn, tha se BE-së për të ardhmen i duhet një buxhet i cili do të jetë në përputhje me ambiciet e bllokut për një BE më të fortë, më konkurruese dhe më të sigurt.

Në procesin e zgjerimit të BE-së ndodhen dhjetë shtete. Prej tyre nëntë kanë statusin e vendit kandidatë ndërsa vetëm Kosova nuk e ka këtë status. Pos gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Yi, Serbia dhe Kosova) në këtë proces janë edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Turqia vazhdon të ketë formalisht statusin e vendit kandidat, por negociatat e saj për anëtarësim në BE janë ngrirë tash e disa vite. /REL