BE: Rezultatet në dialog s’janë dështim i Lajçakut, por i Kosovës dhe Serbisë që s’e mbajtën fjalën

Bashkimi Evropian (BE) thotë se emisari për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, e ka kryer punën ashtu si duhet dhe se angazhimi i tij në këtë çështje nuk mund të quhet dështim.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një deklaratë për medie tha se roli i tyre nuk është t’i detyrojnë palët të sillen si evropianë, por vetëm ta lehtësojnë një gjë të tillë. Ai u shpreh se faji është i Kosovës dhe i Serbisë pse nuk u arritën rezultatet e kërkuara dhe jo i BE-së.

“Cilat janë mësimet që kemi mësuar? Ka një mësim të qartë, që nëse palët nuk duan të lëvizin, askush nuk do të mundet t’i detyrojë ata. Roli ynë si lehtësues në dialogun Prishtinë-Beograd, është që të lehtësojmë, ndihmojmë që të bëhen evropianë, t’i ndihmojmë të fillojnë që të sillen në mënyrë evropiane dhe të gjenden zgjidhje kompromisi në çështje të rëndësishme për qytetarët e tyre. Fakti që nuk ishin në gjendje ta bënin këtë deri tani dhe të lëvizin përpara në procesin e normalizimit nuk është për shkak të dështimit të pretenduar të BE-së si lehtësuese, por është për shkak të dështimit të tyre që të mbajnë fjalën. Do të mbërrijmë aty, përtej mandatit të një emisari special”, tha ai.

Stano theksoi se Lajçaku bëri më të mirën e mundshme dhe se e ka pasur përkrahjen e 27 vendeve të BE-së.

“I dërguari special ishte një instrument i ri dhe specifik gjatë mandatit të këtyre institucioneve. Në të kaluarën nuk ka pasur. Përfaqësuesja e lartë e ka bërë këtë punë vetë, në dy mandatet e kaluara, por kjo ishte një shenjë se sa shumë vëmendje po i kushtonim kësaj çështjeje dhe se sa shumë donim të ndihmojmë, duke caktuar, me vullnetin e 27 shteteve anëtare, një person që specifikisht po merrej me ndihmën e Serbisë e Kosovës që të lëvizin përpara, në baza ditore. Kështu që nuk është e vërtetë që mund të paraqiten rezultatet e deritashme si dështim i zotit Lajçak. Ai ka bërë më të mirën në emër të përfaqësuesit të lartë dhe BE-së, me mbështetjen e plotë të 27 vendeve të BE-së”, tha Stano.

Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit nuk është dështim vetëm pse nuk është nënshkruar, derisa ripërsëriti qëndrimin e BE-së se ajo është ligjërisht obligative për të dyja vendet.

Stano theksoi se nëse nuk merren hapa të implementimit, Kosova dhe Serbia i bëjnë dëm vetes dhe qytetarëve të tyre.

“Nuk është faktikisht korrekte të thuhet se ishte dështim, për faktin se dy palët nuk e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit. Me dhjetëra herë kemi sqaruar se nuk ka pasur pikëpyetje për nënshkrimin. Kjo marrëveshje është ligjërisht obligative, dhe nuk ka sqarim më të mirë të faktit se është ligjërisht obligative, pasi që është bërë pjesë integrale e rrugës drejtë anëtarësimit si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Kështu që nuk bëjnë hapa drejt implementimit, ata i bëjnë dëm vetes, të ardhmen evropiane dhe përfitimet që qytetarët e tyre do të mund t’i gëzonin”, tha ai.

Ndër të tjera, ai tha se BE-ja do t’i vazhdojë përpjekjet për ta avancuar çështjen e dialogut.

“Kështu që ne do të vazhdojmë, BE-ja ka një mandat të përcaktuar ndërkombëtar, përfaqësuesi i lartë i BE-së është lehtësuesi, pavarësisht nëse emri do të jetë Joseph Borrell, ose kushdo që do të vijë. Emisari special, ende jemi me mandatin e tij që vazhdon dhe po vazhdon përpjekjet e tij, dhe nuk ka shembull më të mirë se si ai e kryen punën, pasi po i kushton kohën dhe energjinë e tij në një numër takimesh, për të zgjidhur çështjen e fundit (dinarin) në vazhdimësinë e çështjeve të njëanshme që po e sjellin dialogun në menaxhim të vazhdueshëm të krizave”, tha ai. /Dukagjini