Regjistrimi i popullsisë, Kastrati i ASK-së: Komuniteti serb ende heziton në mënyrë masive
Afër 900 mijë qytetarë në Kosovë janë regjistruar deri tani në javën e katërt të regjistrimit të popullsisë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, ka thënë se ka pjesëmarrje masive dhe në përgjithësi nuk ka refuzime nga qytetarët.
Shpreh bindjen se ky proces do të përfundojë para afatit të paraparë.
“Jemi në ditën e 24-t të punës në terren dhe shpresojmë që do të jemi në bazë të planit qe e kemi bërë. Procesi i regjistrim është duke shkuar ashtu siç është planifikuar. Këtë javë është një regjistrim më shumë se sa është planifikuar, duket se tani regjistruesit janë adaptuar me zonat e tyre edhe qytetarët po e pranojnë regjistrimin. Nuk kemi refuzime deri me tani, janë individuale. Ne e kemi theksuar se regjistrimi i popullsisë, përveçqë është e mirë edhe e ligjor dhe të gjithë ata që refuzojnë do t’i përcjellim në institucionet përkatëse”, ka thënë Kastrati.
Ai ka thënë se qytetarët serb të në katër komunat veriore ende janë duke hezituar që të marrin pjesë në këtë proces dhe se për këtë po ndikon edhe thirrja e Listës Serbe.
“Në pjesën veriore ka edhe komunitete të tjera jo serbe që jetojnë ata janë duke u regjistruar, komuniteti serb ende heziton në mënyrë masive, ka një regjistrim por është numri i vogël. Ata duhet ta dinë se është edhe një e mirë edhe për ata. Mospjesëmarrja në regjistrim do të thotë se ata nuk ekzistojnë, u bëjnë thirrje që procesi nuk është politikë. Inkurajoj komunitet që të marrin pjesë së është një e mirë për ata. Lista serbe ka bërë një thirrje të jashtëligjshme dhe ne do të ndërmarrim hapa. Thirrja ka pasur ndikim te pjesa veriore, por në jug komuniteti serb është duke u regjistruar”, u shpreh Kastrati.