Fitim Doda ndalohet për vrasjen në tentativë në Prishtinë, që ndodhi më 26 mars

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të pandehurit Fitim Doda, për shkak të dyshimit se i njëjti është i përfshirë për veprën “Vrasje në tentativë”, që ka ndodhur më 26.03.2024, në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se më 24.04.2024 prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të pandehurit F.D., për shkak të veprave penale ‘Vrasje e rëndë’ (në tentativë), ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Asgjësimi ose dëmtimi i pasurisë’, sipas KPRK-së. Ndaj të pandehurit Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, në gjykatën kompetente”, ka thënë Ulaj.

Kujtojmë se para pak javësh Policia e Kosovës shpalli në kërkim Fitim Dodën dhe Arijan Sijarinën, si të dyshuar për vrasje në tentativë.

Më 26.03.2024, rreth orës 13:40, Policia kishte marrë informatën për një plagosje me armë zjarri, që ndodhi në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë.

Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

Bazuar në të dhënat fillestare, një person është plagosur me armë zjarri.

Hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personave të dyshuar (të cilët janë identifikuar), si dhe ndriçimin e plotë të rastit. /Telegrafi