Sveçla takon delegacionin çek: Serbia vazhdon të ketë aspirata territoriale ndaj vendit tonë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka pritur sot në takim nënkryetarin e senatit të Parlamentit të Çekisë, Tomas Czernin dhe kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme, Siguri dhe Mbrojtje, Pavel Fischer.

“Në fjalën time falënderova Republikën e Çekisë për mbështetjen e vazhdueshme për Republikën e Kosovës. Prezantova angazhimet tre vjeçare të Qeverisë sonë veçanërisht në fushën e sigurisë publike, luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, kontrabandës, trafiqeve të ndryshme dhe terrorizmit”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook.

Ministri i Brendshëm ka shtuar se gjatë takimit kanë diskutuar edhe për situatën aktuale të sigurisë dhe për sfidat e vazhdueshme të shkaktuara nga Serbia e cila vazhdon të ketë aspirata territoriale ndaj vendit tonë.

“E falënderova delegacionin çek për reagimin publik në dënimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij sulmi. z.Fischer në emër të delegacionit të Republikës së Çekisë falënderoi për mikpritjen dhe përgëzoi për angazhimin e vazhdueshëm që pavarësisht sfidave të njëpasnjëshme kemi arritur të kemi suksese në prioritetet tona”, ka thënë Sveçla.

Ministri theksoi se të dyja palët shprehëm gatishmërinë e plotë për thellim të bashkëpunimit në fushën e sigurisë.