Muhaxheri: Peja për katër vjet u ndihmua me një rrugë 300 metra, s’pati investim të madh nga niveli qendror
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka shprehur shqetësimin e tij për mospërkrahje nga niveli qendror, teksa shprehet se qeveria “Kurti” s’ka bërë asnjë investim kapital në këtë qytet.
I pari i Pejës si investim të vetëm nga qeveria “Kurti” përmend një rrugë 300 metra, por që ende nuk është e përfunduar.
“Po besoj që nuk kanë bë investime në Komunën e Pejës është viti i katërt, nja 300 metra rrugë asfalt kanë nis me i shtruar në drejtim të Rugovës, e kanë heq komplet asfaltin dhe nuk është duke investuar asgjë prej nivelit qendror”, thotë Muhaxheri.
Ai ka përmendur edhe investimet që janë duke u bërë nga niveli qendror, përfshirë rrugë e shtrirje të rrjetit të kanalizimit.
“Jemi duke punuar në ndërtimin e rrugëve, shesheve, murit të lumit ,janë diku 37 kilometra në rrugë për në Rugovë, 7 janë në qytetin e Pejës dhe një 35 nëpër fshatra. Jemi duke ndërtuar kanale të ujitjes, kanalizime, janë rreth 9 km kanalizime që janë duke u bërë me Bankën Gjermane për ndërtim KFV, e cila është duke i ndihmuar Komunës së Pejës, respektivisht është duke i ndihmuar ndërmarrjes ‘Hidrodrini’ për ta shtrirë rrjetin e kanalizimit në ato pjesë ku mungon dhe ku është gjendje të keqe”, u shpreh ai.
Nënkryetari i LDK-së ka folur edhe për mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ai thotë se shkuarja për të shkuar në zgjedhje është në dorën e kryeministrit, Albin Kurti.
“Po na jemi të gatshëm çdo moment me shku në zgjedhje vetëm varet se si ka me ra Qeveria, domethënë ne nuk e votojmë qeverinë nëse kryeministri është dorëzuar, le të jap dorëheqje dhe ne shkojmë në zgjedhje”, deklaroi Muhaxheri. /EO