Konjufca: Pa u vendosur drejtësia për krimet e luftës, as të rënët për liri s’mund të prehen të qetë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sot ka bërë homazhe te kompleksi i varrezave të dëshmorëve në fshatin Ribar i Vogël të Lipjanit, si dhe në fshatrat Makoc e Sharban të Prishtinës.

Në Ribar, Konjufca takoi familjarët e 25 civilëve të vrarë nga forcat serbe, raporton Zeri.info.

Kurse, në Makoc të Prishtinës ai vendosi kurora lulesh në kompleksin e varrezave, ku prehen eshtrat e 93 shqiptarëve, në mesin e qindra të vrarëve e të masakruarve në rajonin e Gollakut gjatë pranverës së vitit 1999, në atë që njihet si njëra nga masakrat më të mëdha dhe më çnjerëzore që forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe kryen mbi popullatën civile shqiptare.

Duke ndarë dhimbjen me familjarët e të rënëve kryetari Konjufca theksoi se pa zbardhjen e këtyre krimeve dhe vënien e autorëve të tyre para drejtësisë, as të rënët për liri nuk mund të prehen të qetë në varret e tyre.

Nderime me rastin e 25 vjetorit të rënies, kryetari Konjufca bëri edhe te lapidari i dëshmorëve Dalip Alshiqi, Behxhet Brajshori, Enver Berisha, Besim Berisha dhe Mehmet Bala në fshatin Sharban të Prishtinës. /Zëri