Guvernatori Ismaili takohet me drejtues të lartë të Departamentit të Thesarit të SHBA-së
Një delegacion i nivelit të lartë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili, janë takuar me Zëvendës Ndihmës Sekretarin (DAS) e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Luyen Tran dhe ekipin e tij të Zyrës se Asistencës Teknike (OTA) në Washington D.C.
BQK-ja ka thënë se diskutimet kishin për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, në ngritjen e kapaciteteve të BQK-së.
Në takimin me Departamentin amerikan të Thesarit, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e sinqertë për ndihmën e çmuar teknike të ofruar nga OTA-ja dhe rolin e tyre kryesor në mbështetjen e zhvillimit të infrastrukturës kritike.
“Kjo përfshinë mbështetjen në zhvillimin e Sistemit Qendror Depozitar të Letrave me Vlerë, krijimin e linjave të likuiditetit si dhe bashkëpunimin e suksesshëm në shumë projekte të tjera për mbikëqyrjen bankare dhe sigurimeve, si dhe në kornizën e luftimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndër të tjera”
“Gjithashtu, u diskutuan mundësitë e reja të asistencave teknike dhe bashkëpunimit, me qëllim të forcimit të partneritetit me Departamentin e Thesarit të SHBA-së”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se këto angazhime nënvizojnë përkushtimin e BQK-së për të kultivuar partneritet të qëndrueshëm me akterët kryesorë ndërkombëtarë, duke fuqizuar më tej misionin e institucionit për promovimin e stabilitetit financiar dhe zhvillimin të qëndrueshëm të vendit. /Zëri