Pas më shumë se 30 orësh, rikthehet energjia elektrike në qendër të Prishtinës

Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu (KOSTT) ka njoftuar të enjten se është rikthyer energjia elektrike në qendër të Prishtinës, pas më shumë se 30 orësh mungesë furnizimi, që nga djegia e nënstacionit afër stadiumit “Fadil Vokrri”.

Siç ka njoftuar KOSTT-i në Facebook, transformatori i nënstacionit “Prishtina 3” është rikthyer pak pas orës 19:00. Sipas KOSTT-it, është bërë improvizim i përkohshëm për ta mundësuar energjizimin e nënstacionit.

Ky institucion ka thënë se do të punohet në vlerësimin e dëmeve dhe për të identifikuar shkaqet që çuan në avari.

Me mungesë të energjisë elektrike u përballën rreth 10 mijë konsumatorë. Fillimisht ishin prekur edhe 11 mijë të tjerë, por që problemi ishte rregulluar ditën e djeshme.

Zjarri pati ndodhur në mëngjesin e së mërkurës. Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, Malë Gashi, pati deklaruar se intervenimi për shuarjen e zjarrit ka qenë i vështirë.