75-vjetori i NATO-s, Zemaj: Jemi të përkushtuar që Kosova të ketë një vend në këtë aleancë

Përfaqësuesi i Kosovës për marrëdhënie me NATO-n, ambasadori Astrit Zemaj ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës ndaj kësaj aleance për ndërhyrjen e bërë në vitin 1999, por edhe kontributin në shtetndërtimin e vendit dhe ofrimit të sigurisë.

Ai ka thënë se Kosova është e përkushtuar që në bashkëpunim me aleatët të sigurojë sa më shpejt një vend në këtë aleancë, raporton Zeri.info.

“Në vitin 1999, për herë të parë pas 50 viteve që nga themelimi i saj, pas dështimit të të gjitha përpjekjeve diplomatike dhe një serë rezolutash nga OKB, NATO-ja intervenoi me sulme ajrore për 78 ditë rresht kundër ish-Jugosllavisë, për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm dhe spastrimin etnik që ishte duke ndodhur kundër popullit të Kosovës.

Republika e Kosovës dhe populli i saj janë përjetësisht mirënjohës NATO-s për ndërhyrjen e saj historike, humanizmin në kohë të rëndë, për vlerat e lirisë, të paqes dhe sigurisë, si dhe për të gjitha proceset e shtetndërtimit të vendit tonë”, shkroi ai në Facebook. /Zëri