Vdekja e ukrainases në autostradën “Arbën Xhaferi”, flasin nga Prokuroria e Ferizajt
Një ukrainase rreth 23-vjeçare, me 21 shkurt ishte gjendur e vdekur në autostradën “Arbën Xhaferi”, në rrethana të dyshimta.
Gati dy muaj pas rastit, ende nuk ka persona të dyshuar.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Vjosa Baftiu, ka deklaruar shkurt për Telegrafin, se janë duke pritur raportin e autopsisë dhe se nuk mund të japë detaje të tjera.
“Momentalisht jemi duke pritur raportin e autopsisë, për momentin, nuk ka të dyshuar në lidhje me rastin”, u shpreh Baftiu.
Ndërkaq, Natasha Kozij, nëna e viktimës, Olena Kozij, ka thënë për Telegrafin, se rasti është duke u neglizhuar nga prokuroria i rastit.
Sipas saj, duke ditur se nuk kupton anglisht, ka kërkuar një përkthyes.
“Kam folur me prokurorin që po e trajton këtë çështje. Folëm me një përkthyes, por ai thotë se nuk më kupton. Ose nuk dëshiron të kuptojë”, tha Kozij.
E pyetur nëse gjatë komunikimit me të bijën ka kuptuar ndonjë shqetësim, ajo tha se ajo kishte humor të mirë dhe se nuk ka pasur probleme me askënd.
Madje, thekson se në mars do të kthehej në Ukrainë.
“Vajza ime nuk kishte fare probleme. Ajo do të kthehej në shtëpi në mars 2024. E prisnim në shtëpi. Fatkeqësisht, nuk prita”, u shpreh Kozij.