Lista Serbe kundër vizitës së Kurtit në veri: Ka qëllim destabilizimin e situatës, të dezinfektohen rrugët ku ka ecur

Lista Serbe ka bërë të ditur se vizita e sotme e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në veri të Kosovës ka për qëllim destabilizimin e situatës në terren dhe shkaktimin e tensioneve.

Sipas Listës Serbe, Kurti me vizitën e tij ka pasur qëllim të nxisë reagimin e popullit serb e më pas të paraqitej si viktimë dhe më pas për të fituar vota në zjgedhjet e ardhshme, transmeton Zeri.info.

“Parakalimi i Albin Kurtit me dhjetëra automjete dhe njëqind forca speciale shqiptare të armatosur deri në dhëmbë në veri të Kosovës dhe Metohisë shqetësoi serbët në Kosovë dhe Metohi të cilët e panë me neveri këtë spektakël. Ardhja e Kurtit në veri me formacione parapolicie synon për të destabilizuar situatën në terren dhe për të provokuar tensione. Është më se e qartë se me ardhjen e tij ai donte të nxiste reagimin e popullit serb dhe të paraqitej si viktimë për të fituar edhe disa pikë politike apo vota për zgjedhjet e ardhshme”, sipas Listës Serbe.

LS theksojnë se presin që organizata kompetente ndërkombëtare të reagojë ndaj siç thonë ata provokimit.

“Pas kësaj shfaqje të cirkut, Kurti dukshëm i frikësuar, si të gjithë pushtuesit, u kthye dhe ne të tjerët në veri të Kosovës dhe Metohisë, sepse ky është vendi ynë, qytetet dhe komunat tona. Ne presim që Shërbimet kompetente të dezinfektojnë rrugët ku ai ka lëvizur dhe në këtë mënyrë të mbrojnë shëndetin e qytetarëve tanë. Kërkojmë që organizatat kompetente ndërkombëtare të reagojnë ndaj këtij provokimi evident dhe të kërkojnë nga populli i tyre që të ndalojë shtypjen ndaj popullit serb, i cili kësaj radhe tregoi vetëpërmbajtje dhe durim t jashtëzakonshëm ”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti ka vizituar Komunën e Leposaviqit, ndërsa është raportuar se ka qenë edhe në Zubin Potok. /Zëri