“Apetit Group” reagon pas dyshimeve se mishin e Brazilit e shiste si të Kosovës në Shqipëri

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK) ka marrë masa kundër kompanisë “Apetiti ‘Sh.P.K’, duke ia ndaluar eksportin e produkteve të mishit.

Kjo erdhi pas një hulumtimi nga mediat në Shqipëri sipas të cilave, “Apetit Group”, mishin e Braziliti e ka shitur në Shqipëri si produkt me origjinë nga Kosova, së bashku me falsifikimin e dokumenteve në bashkëpunim të dyshimtë me inspektorë të shtetit.

Pas kësaj ka reaguar kompania “Apetit Group” , e cila ka mohuar raportimet, ndërsa e ka cilësuar si tendencioz me qëllim të dëmtimit të kompanisë raportimet në mediat e Shqipërisë, transmeton Zeri.info.

“Në rastin e publikuar nga një media shqiptare, të dërguar në mënyrë tendencioze, ne jemi dakorduar që të eksportojmë rreth një ton mish viçi, prodhim i thertores tonë. Megjithatë, në videon e publikuar, me qëllim dekurajimin e depërtimit tonë në tregun shqiptar duke krijuar një imazh të pavërtetë tek publiku, ata kanë publikuar një video ku diskutohet për dy artikuj të ndryshëm, ndër ta edhe biftekun e importuar nga Amerika e Jugut të cilin ne e ofrojmë në treg me kushte të tjera”, thuhet më tej në reagim.

“Apetit Group”, ka thënë se produktet e tij i përmbahen standardeve më të larta të cilësisë, sigurisë dhe transparencës.

“Ne sigurojmë klientët tanë, palët e interesuara dhe publikun e gjerë që proceset tona i përmbahen standardeve më të larta të cilësisë, sigurisë dhe transparencës. Objektet dhe procedurat tona i nënshtrohen mbikëqyrjes dhe inspektimit rigoroz nga autoritetet përkatëse shtetërore, duke përfshirë AVUK, Doganat dhe ATK”, thuhet në reagimin e tyre. /Zëri