Osmani: E vërteta e Serbisë është djegia për së gjalli e fëmijëve të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se djegia e fëmijëve të Kosovës për së gjalli është e vërteta e Serbisë.

Këto deklarime ajo i bëri në përkujtim të përvjetorit të masakrës në shtëpinë e familjes Vejsa në Gjakovë.

Osmani theksoi se emrat e fëmijëve dhe grave martire të familjeve Vejsa, Caka, Haxhiavdija, Nuqi, Hoxha dhe Gashi janë kujtim i përhershëm dhe dëshmojnë rrugën e vështirë të aspiratave të Kosovës për liri e shtet.

“25 vjet më parë, regjimi gjenocidal serb egërsinë e manifestoi kur vrau e pastaj dogji në bodrumin e shtëpisë së familjes Vejsa anëtarët e këtyre familjeve nga mosha 2 e deri në atë 75 vjeçe”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.

Osmani tha se do ta vazhdojë betejën për drejtësi.