Banorët e Bardhit të Madh qe 6 muaj në rrezik nga shtyllat e rrëzuara të rrymës
Pak metra e ndajnë këtë shtyllë elektrike që është rrëzuar fare pranë shtëpisë.
Kjo gjendje është tash e më shumë se gjashtë muaj në fshatin Bardh i Madh të Fushë-Kosovës.
Por, ky nuk është rreziku i vetëm për banorët e kësaj lagjeje.
Njëjtë pak më tutje është edhe një shtyllë tjetër elektrike e rrëzuar.
Drojë për Asllan Gërgurin, janë nipërit e tij që thotë se luajnë pranë këtyre telave të rrymës.
“Këta bandera tash e gjashtë muaj janë rrëzu, ka fry ni erë e madhe edhe janë rrëzu. Po ndihemi të rrezikuar, kemi shumë nipa, po hypin në bandrra, askush nuk ka ardhë deri tash më pa se çfarë ka ndodhë me ta. I kom nxanë tu hypë në bander dhe po shkojnë deri të teli i rrymës”, tha Asllan Gerguri- Banor i Bardhit të Madh.
Nëse kompanitë kompetente nuk i largojnë shtyllat, banorët paralajmërojnë se do të intervenojnë vetë.
Shtylla tjetër e rrëzuar gjendet në oborrin e Nesret Gërgurit.
Frika e tij shtohet në momentin kur moti përkeqësohet.
“Sigurisht që është rrezik, kjo rrymë është, një tel mu këput mundet më gju atje, një erë, është shumë rrezik”, tha Nysret Gërguri – Banor i Bardhit të Madh.
Banorët e kësaj lagjeje thonë të kenë njoftuar KEDS-in, por që deri më tash nuk ka pasur ndonjë intervenim.
Mirëpo, kjo kompani i kanë thënë televizionit se nuk kanë marrë asnjë ankesë nga banorët për këtë rast.
Por pas njoftimit nga Dukagjini, kanë bërë të ditur se ekipet e KEDS-it do të dalin në vendin e ngjarjes dhe do të merren me rastin.